Revista shkencore
Akademia po zhvillon një qasje strukturuar dhe të qëndrueshme në fushën e hulumtimit shkencor, duke pasur parasysh rritjen e përgjegjësive akademike dhe nevojën për ta forcuar profilin e saj institucional. Që nga themelimi dhe funksionalizimi i arsimit të lartë në vitin 2014, si dhe më pas edhe themelimi i Institutit për Hulumtim dhe Zhvillim si njësi e veçantë organizative, Akademia ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin dhe avancimin e interesave hulumtuese shkencore dhe aplikative në fushën e sigurisë publike.
Përgjatë përvojës institucionale të këtyre viteve gjatë zbatimit të arsimit të lartë, si dhe marrë parasysh zhvillimet e reja në fushën e sigurisë publike, kanë nxjerrë në pah nevojën që institucionet e arsimit të lartë të kontribuojnë jo vetëm përmes mësimdhënies, por edhe përmes hulumtimeve shkencore të avancuara, si dhe platformave të ndryshme për prodhimin dhe shpërndarjen e dijes.
Për ta konkretizuar këtë vizion, Akademia e ka përfshirë në Planin Strategjik për Hulumtimet Shkencore 2026–2028 një sërë objektivash që lidhen me forcimin e kapaciteteve hulumtuese shkencore dhe aplikative dhe rritjen e ndikimit të saj. Plani parasheh mbështetjen e personelit akademik në publikime shkencore të indeksuara në data-baza ndërkombëtare, pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta me institucione vendore dhe të huaja, si dhe krijimin e kushteve për një mjedis të qëndrueshëm hulumtues shkencor dhe aplikativ brenda Akademisë. Një ndër shtyllat kryesore të këtij plani është themelimi i një reviste shkencore ndërkombëtare në fushën e studimeve të sigurisë publike, e cila do të respektojë dhe zbatojë parimet e një procesi editorial të pavarur, transparencën dhe standardet e rishikimit nga kolegët, ashtu sikurse bëhet me revistat shkencore me kredibilitet të lartë.
Kjo iniciativë synon jo vetëm të krijojë dhe mirëmbajë një platformë për shpërndarjen e dijes shkencore, por edhe të konsolidojë rolin e Akademisë si institucion hulumtues shkencor me ndikim në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Përmes revistës shkencore dhe aktiviteteve tjera hulumtuese shkencore, Akademia do të krijojë ura të reja bashkëpunimi me institucione të ngjashme në rajon dhe më gjerë, duke kontribuar në avancimin e literaturës shkencore dhe akademike të sigurisë publike dhe në ndërtimin e politikave dhe praktikave të bazuara në hulumtime shkencore. Kjo do ta vendos Akademinë në një pozicion të ri, ku arsimi, hulumtimi dhe praktika ndërthuren në mënyrën më të mirë, për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme të sigurisë publike në Kosovë dhe më gjerë.