Projektet shkencore

Veprimtaria hulumtuese shkencore përbën një nga detyrat themelore të personelit akademik të Fakultetit të Sigurisë Publike dhe realizohet në përputhje me legjislacionin dhe dokumentet strategjike që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

 

Në këtë drejtim, zhvillimi i hulumtimeve shkencore është i përcaktuar si detyrë e personelit akademik me Rregulloren (QRK) Nr. 05/2019 për Arsimin e Lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, e cila në nenin 32, paragrafi 3, përcakton se personeli akademik programin e punës kërkimore-shkencore e realizon në kuadër të detyrave të punës.

 

Veprimtaria hulumtuese rregullohet gjithashtu me Rregulloren (AKSP) Nr. 09/2025 për Veprimtarinë Hulumtuese Shkencore në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, Rregulloren (AKSP) Nr. 10/2025 për Vlerësimin e Performancës së Personelit Akademik, si dhe me Strategjinë Zhvillimore dhe Planin e Veprimit të AKSP-së 2023–2026, e cila përcakton që secili anëtar i personelit akademik të publikojë së paku një punim shkencor në vit në revista shkencore të indeksuara në Scopus ose Web of Science (WoS).

 

Gjatë periudhës së fundit (shtator 2024 - mars 2026), në Akademi është realizuar projekti shkencor i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (Vendimi nr. 2/2282), me titull “Zbatimi i standardeve të Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës”, i udhëhequr nga Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi. Projekti ka përfshirë anëtarë të stafit akademik, studentë dhe ekspertë ndërkombëtarë.