Ndërkombëtarizimi

 

Ndërkombëtarizimi në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është proces i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve profesionale, përmirësimit të cilësisë arsimore përmes komptencës së dëshmuar si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë. Përfaqëson njërin nga mekanizmat kyçë që ndihmon forcimin e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë, duke e integruar atë në strukturat dhe sistemet ndërkombëtare që zbatojnë praktikat më të mira. Me të nënkuptohet shkëmbimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për ngritjen e cilësisë në nivel ndërkombëtar dhe për përfitim sa më të madh të përvojave, njohurive dhe ekspertizës për vijuesit e trajnimeve, studentët, të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit administrativ. Përmes ndërkombëtarizimit, përfitimet për zyrtarët e sigurisë publike të Kosovës, duke përfshirët policët, doganierët, korrektuesit, sprovuesit, zyrtarët e inspektoratit policor dhe ata të menaxhimit të emergjencave, janë të shumëta, duke qenë kështu në trend me zhvillimet, avancimet dhe inovacionet më të fundit në fushën e tyre përkatëse. Duke elaboruar këtë më tutje, shkëmbimi i përvojave, njohurive dhe ekspertizës që ofrohet për vijuesit e trajnimeve, studentët në arsimin e lartë si dhe pjesën e ngritjes së kapaciteteve njerëzore nga fusha e mësimdhënies dhe ajo administrative, kanë ndikuar që institucionet ku punojnë zyrtarët e lartëpërmendur ta mbajnë vazhdimisht nivelin më të lartë të besueshmërisë në vend. Pra, bashkëpunimi ndërkombëtar kontribuon në ngritjen e cilësisë të programeve trajnuese dhe arsimore për zyrtarët e sigurisë publike të Kosovës, duke zhvilluar kështu më tutje institucionet e sigurisë publike të Kosovës në tërësi.

 

Për këtë arsye, AKSP është përpjekur dhe përpiqet vazhdimisht që të rrisë në aspektin cilësor dhe sasior nivelin e ndërveprimit dhe përfshirjes të sa më shumë zyrtarëve nga Kosova nga fushëveprimtaria e institucionit tonë, të cilët do të merrnin njohuri dhe përvoja të reja përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në ngjarje, projekte dhe programe të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë shtetit.

 

Prandaj, AKSP ka pasur dhe ka bashkëpunim të formalizuar dhe të paformalizuar me institucionet përkatëse nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, shtetet e Bashkimit Evropian dhe të tjera të Evropës, si: Kroacia, Estonia, Finlanda, Gjermania, Norvegjia e Polonia, si dhe më gjerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Përveç tyre, përmes rrjeteve dhe asociacioneve të ndryshme, pjesë e të cilave është Akademia, bashkëpunimi realizohet edhe në forma të tjera joformale me shumë shtete të tjera të Evropës dhe jashtë saj.

 

Për më tepër, ashtu siç ceket edhe në Strategjinë Zhvillimore dhe Planin e Veprimit të AKSP-së për vitet 2023 - 2026, një ndër objektivat strategjikë të saj është edhe fuqizimi i bashkëpunimit vendor e ndërkombëtar dhe rritja e kredibilitetit të institucionit tonë. Sipas kësaj Strategjie, përmes ndërkombëtarizimit synohet që të vazhdohet bashkëpunimi me institucionet me të cilat AKSP ka bashkëpunim dhe, në të njëjtën kohë, të zgjerohet bashkëpunimi me institucione të tjera, të identifikohen dhe shfrytëzohen programet e shkëmbimit, të promovohen dhe inkurajohen personeli dhe zyrtarët e sigurisë publike që të marrin pjesë në programe të mobilitetit, të identifikohen donacionet e mundshme si dhe të ngritet kredibiliteti në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Si pjesë përbërëse të këtij objektivi strategjik janë dy objektiva specifike, përkatësisht ndërtimi dhe avancimi i partneriteteve me institucione vendore dhe ndërkombëtare dhe rritja e kredibilitetit përmes transparencës dhe besueshmërisë.