Akademia e Kosovës për Siguri Publike
Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) është institucioni i vetëm publik në Republikën e Kosovës i specializuar në arsimimin dhe trajnimin e personelit në fushën e sigurisë publike. AKSP luan rol kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të personelit (stafit) respektivisht të zbatuesve të ligjit. Misioni i Akademisë është të ofrojë programe trajnimi, edukim të lartë dhe zhvillim profesional sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke garantuar përgatitje cilësore për gjithë zbatuesit e ligjit në Republikën e Kosovës.
AKSP është përgjegjëse për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimit të lartë si dhe zhvillimin e kapacitetve në fushën e sigurisë publike. Shërbimet trajnuese dhe akademike u ofrohen institucioneve të sigurisë publike, duke mos u kufizuar në: Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, Doganën e Kosovës, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe Inspektoratin Policor të Kosovës. Përmes këtyre programeve, Akademia siguron zhvillimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e efikasitetit dhe promovimin e etikës dhe integritetit në shërbimin publik.
Programet e Akademisë janë të strukturuara për të zhvilluar personel (staf) me integriteti profesional, të aftë dhe etik, në përputhje me vendore dhe ndërkombëtare. Programet trajnuese dhe arsimore të AKSP-së kanë arritur standardet më të larta ndërkombëtare dhe i nënshtrohen periodikisht proceseve të akreditimit dhe validimit nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përmes Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe sipas kritereve të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve dhe standardeve të aplikueshme nga SHBA. Këto programe janë komponentët kryesorë që e bëjnë AKSP-në institucion kyç në modernizimin e sektorit të sigurisë publike dhe sigurojnë përgatitje të mirëfilltë dhe moderne të zbatuesve të ligjit për sfidat bashkëkohore të sigurisë publike në Republikën e Kosovës.