Në AKSP u mbajt Punëtoria Rajonale “Transparenca e Agjencive Mbikëqyrëse Policore dhe Roli i Transparencës në Forcimin e Integritetit Policor”
Vushtrri, 4 dhjetor 2025 – Në ambientet e Agjencisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u zhvillua punëtoria rajonale me titull “Transparenca e Agjencive Mbikëqyrëse Policore dhe Roli i Transparencës në Forcimin e Integritetit Policor”. Ky aktivitet u organizua nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në partneritet me AKSP-në dhe përfaqëson një nga ngjarjet kryesore të Planit të Aktivitetit të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.
Punëtoria dyditore mblodhi përfaqësues nga institucionet e mbikëqyrjes policore dhe departamentet e kontrollit të brendshëm të rajonit, përfshirë delegacione nga agjencitë mbikëqyrëse policore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe përfaqësues të institucioneve vendore, nga Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Policia e Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Pjesë e kësaj punëtorie ishin edhe profesorë nga Universiteti i Prishtinës (Fakulteti i Filologjisë – Programi i Gazetarisë) dhe përfaqësuesja e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Qëllimi kryesor ishte promovimi i transparencës institucionale si një shtyllë thelbësore në rritjen e besimit publik dhe forcimin e integritetit policor në nivel rajonal. Pjesëmarrësit – përfaqësues të institucioneve të ndryshme të mbikëqyrjes policore dhe strukturave të kontrollit të brendshëm nga vendet e rajonit – patën mundësinë të diskutojnë sfidat aktuale, të prezantojnë praktika të mira dhe të shkëmbejnë përvoja në fushën e mbikëqyrjes policore.
Gjatë sesioneve u trajtuan temat kyçe si: rëndësia e komunikimit transparent me publikun, roli i raportimit të rregullt në llogaridhënie, përdorimi i mekanizmave të avancuar të monitorimit, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e parregullsive policore. Po ashtu, u theksua nevoja për standardizimin e qasjeve të mbikëqyrjes dhe rritja e efikasitetit të institucioneve përgjegjëse në ruajtjen e etikës dhe profesionalizmit.
Diskutimet treguan qartë se transparenca lidhet ngushtë me profesionalizmin, etikën policore dhe integritetin institucional.
Punëtoria rezultoi një platformë e rëndësishme për nxitjen e dialogut dhe koordinimit rajonal, duke kontribuar në krijimin e një rrjeti më të fortë dhe më bashkëpunues ndërmjet agjencive që kanë mision të përbashkët sigurimin e integritetit dhe përgjegjshmërisë policore.
Në fund të aktivitetit u mbajt ceremonia e ndarjes së certifikatave. Përfaqësuesit e IPK-së dhe AKSP-së falënderuan delegacionet për pjesëmarrjen dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit rajonal në forcimin e integritetit policor dhe qeverisjes së mirë.