Takimi konstituiv i Bordit të Rrjetit Alumni në AKSP
Vushtrri, 12 nëntor 2025 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u mbajt takimi i parë konstituiv i Bordit të Rrjetit Alumni. Në këtë takim morën pjesë ish-studentë të Akademisë, sot pjesëtarë të institucioneve të sigurisë publike dhe anëtarë të Bordit të Rrjetit Alumni, duke shënuar një moment të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet AKSP-së dhe komunitetit të saj të alumnive.
Takimin e hapi U.d. Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, z. Shpend Shabani, i cili theksoi rëndësinë strategjike të funksionalizimit të Rrjetit Alumni si një mekanizëm jetik për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe përfshirjen aktive të ish-studentëve në zhvillimin e mëtejmë të Akademisë. Ai rikujtoi se roli i Rrjetit Alumni është të forcojë marrëdhëniet ndërmjet AKSP-së dhe ish-studentëve të arsimit të lartë, të ofrojë këshilla për zhvillimin institucional, të nxisë rrjetëzimin profesional dhe të kontribuojë në promovimin e vlerave të arsimit, integritetit dhe etikës profesionale. Po ashtu, Rrjeti pritet të zhvillojë aktivitete profesionale, sociale, kulturore e kërkimore, duke mbështetur publikimet shkencore dhe nisma të tjera të rëndësishme për komunitetin e sigurisë publike.
Në vijim, u prezantua përbërja e Bordit të Rrjetit Alumni dhe u diskutua draft-plani vjetor i punës, i cili do të shërbejë si dokument udhërrëfyes për aktivitetet dhe objektivat e Bordit gjatë vitit të ardhshëm. Plani parasheh nisma për forcimin e integritetit akademik, rritjen e përfshirjes së alumnive, organizimin e trajnimeve, ligjëratave dhe aktiviteteve të tjera profesionale e komunitare.
Me votim unanim, znj. Zijavere Keqmezi u zgjodh Kryesuese e Bordit të Rrjetit Alumni të AKSP-së, duke marrë besimin e anëtarëve për të udhëhequr punën dhe zhvillimin e mëtejmë të Rrjetit.
Takimi u përmbyll me zotimin e anëtarëve për bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të plotë në përmbushjen e mandatit të Bordit, duke vendosur një themel të qëndrueshëm për funksionimin dhe avancimin e Rrjetit të Alumni të AKSP-së.