Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Delegacioni nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 26 mars 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mirëpriti sot një delegacion nga Shërbimi i Burgjeve dhe Sprovues i Danimarkës (SHBSD), i kryesuar nga Gitte Møller Hansen, udhëheqëse për edukim në këtë institucion. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorë të Akademisë dhe përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

 

Duke i uruar mirëseardhje mysafirëve, z. Shabani theksoi se vizita është dëshmi e partneritetit të fortë ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, veçanërisht në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes 10-vjeçare mes dy qeverive të nënshkruar në vitin 2022 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2024. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

 

Në fokus të diskutimeve ishte edhe mundësia e organizimit të trajnimit për 25 zyrtarë korrektues që pritet të angazhohen në Burgun e Gjilanit për realizimin e marrëveshjes në fjalë ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës. Megjithëse kapacitetet trajnuese për vitin 2026 janë të planifikuara, drejtuesit e Akademisë u shprehën të hapur për shqyrtimin e kësaj kërkese.

 

Gjatë takimit, përfaqësuesit e AKSP-së dhe SHKK-së prezantuan institucionet e tyre përkatëse, duke përfshirë programet trajnuese dhe aktivitetet zhvillimore, me ç’rast theksuan se Akademia ofron një gamë të gjerë trajnimesh dhe arsimin e lartë në nivel bachelor për zyrtarët e sigurisë publike.

 

Nga ana tjetër, delegacioni danez vlerësoi lartë punën dhe arritjet e Akademisë në përgatitjen e kuadrove profesionale.

 

Znj. Gitte Møller Hansen prezantoi projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përfshirë pilot-projektin në Burgun e Gjilanit dhe iniciativën e “POP-UP” shkollave për trajnimin e zyrtarëve korrektues.

 

Ndërkaq, z. Søren Jacobsen shpjegoi modelin danez të trajnimit, duke theksuar kombinimin e njohurive bazike me trajnimin praktik sipas standardeve dhe legjislacionit danez.

 

Vizita u karakterizua nga një frymë bashkëpunimi dhe angazhimi për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushën e sigurisë dhe trajnimeve.


 

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

 

Vushtrri, 11 mars 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar zyrtarisht trajnimi profesional për gjeneratën e 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përgatitjen profesionale të zyrtarëve korrektues, të cilët në të ardhmen do të angazhohen në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.

 

Programi i trajnimit është hartuar në përputhje me standardet bashkëkohore profesionale dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me theks të veçantë në respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, etikën profesionale dhe menaxhimin korrektues.

 

Gjatë muajve sa do të zgjasë trajnimi, kadetët do të pajisen me njohuri teorike dhe praktike, si dhe do të zhvillojnë shkathtësi dhe kompetenca profesionale të nevojshme për ushtrimin e detyrave të tyre.

 

Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ndër vite kanë ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm institucional, i cili ka kontribuar në zhvillimin dhe avancimin e vazhdueshëm të programeve të trajnimit dhe në rritjen e cilësisë së përgatitjes profesionale të stafit korrektues.

 

Trajnimi për gjeneratën e 46-të do të zgjasë 23 javë dhe do të vijohen nga gjithsej 100 kadetë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, prej të cilëve 82 meshkuj dhe 18 femra. Përmes këtij programi trajnues, kadetët do të përgatiten profesionalisht për të kontribuar në forcimin e profesionalizmit, sigurisë dhe integritetit në sistemin korrektues të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Sukses i jashtëzakonshëm institucional: AKSP akreditohet për pesë vjet në arsimin e lartë

 

Vushtrri, 24 shkurt 2026 - Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në mbledhjen e mbajtur më 23.02.2026, pasi ka shqyrtuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë ka vendosur për akreditimin institucional për pesë vjet në arsimin e lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

 

Ky vendim konfirmon përmbushjen e standardeve të larta të cilësisë në arsimin e lartë dhe është rezultat i drejtpërdrejtë i rishikimit substancial që Akademia ka bërë në politikat e saj të brendshme, duke ndërmarrë masat e nevojshme në përputhje me standardet e reja të AKA-së dhe me trendët moderne të arsimit të lartë, veçanërisht në fushën e arsimimit për zbatimin e ligjit.

 

Ky sukses përbën meritë të veçantë të stafit AKSP-së, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në arritjen e këtij rezultati të jashtëzakonshëm institucional.

 

Akademia shpreh mirënjohje të veçantë ndaj stafit të Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë për përkrahjen profesionale të ofruar gjatë gjithë procedurave akredituese, si dhe ndaj ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë për profesionalizmin e demonstruar në të gjitha fazat e vlerësimit.

 

Akreditimi pesëvjeçar përfaqëson një garanci të qartë për vazhdimin e avancimit të cilësisë dhe forcimin e rolit të Akademisë në arsimin e sigurisë publike.

 


 


 

 

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00