Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot diplomuan 21 kadetë për zjarrfikës

Vushtrri, 22 janar 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot u mbajt ceremonia solemne e diplomimit të 21 kadetëve, të cilët përfunduan me sukses Trajnimin Profesional për Zjarrfikës. Kjo ceremoni shënoi përmbylljen e suksesshme të programit trajnues, ndërsa të diplomuarit do të vazhdojnë angazhimin e tyre profesional në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), duke ushtruar detyrën e tyre humane me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë personalitete të larta shtetërore, përfshirë Ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga Sekretari Përhershëm i MPB-së, z. Genc Metaj, përfaqësues të Institucioneve të Sigurisë Publike të Republikës së Kosovës, respektivisht U.d Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektorati Policor i Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Drejtori i Departamentit Rajonal Doganor i Doganave të Kosovës, Komandanti i Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim nga Forca e Sigurisë së Kosovës, përfaqësues ndërkombëtar nga Bashkimi Evropian, NALT, KFOR, dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.

Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shpend Shabani, përgëzoi kadetët për përfundimin me sukses të Trajnimit Profesional, duke theksuar se sot nuk po diplomohen vetëm 21 zjarrfikës, por po formohen 21 garantues të jetës, profesionistë të cilëve shteti dhe shoqëria do t’u besojnë momentet më kritike.

Ai theksoi se kjo ceremoni përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin dhe avancimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë publike, duke shtuar se trajnimi i përfunduar nuk është trajnim i zakonshëm, por trajnim profesional për zjarrfikës të nivelit të katërt sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, plotësisht i harmonizuar me standardet përkatëse.

“Sot po përmbyllim diçka thelbësore, një trajnim profesional të plotë, të standardizuar dhe të certifikuar, ashtu siç e kërkon një shtet modern. Investimi në trajnim profesional nuk është shpenzim, por siguri kombëtare. Roli i zjarrfikësit nuk është vetëm shuarja e zjarrit, por ai është reaguesi i parë në emergjenca komplekse, menaxher i rrezikut dhe, mbi të gjitha, profesionist i trajnuar për të marrë vendime të shpejta, të drejta dhe humane”, tha z. Shabani.

Duke nënvizuar rolin e Akademisë, ai theksoi se, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e sigurisë, AKSP do të vazhdojë të avancojë standardet e trajnimit dhe arsimit, duke integruar praktikat më të mira dhe duke iu përshtatur sfidave të reja të sigurisë publike.

Ministrit në detyrë i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, uroi kadetët e rinj zjarrfikës për arritjen e tyre profesionale, duke theksuar se trajnimi profesional i zjarrfikësve përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale për reagim ndaj situatave emergjente dhe rritjes së sigurisë së qytetarëve.

“Roli i zjarrfikësit është ndër më fisnikët dhe më sfiduesit, pasi kërkon guxim profesional dhe gatishmëri të vazhdueshme për të vepruar në kushte të vështira dhe shpeshherë me rrezik të lartë. Trajnimi profesional për zjarrfikës, i cili ka zgjatur 20 javë dhe ka qenë i kombinuar ndërmjet përgatitjes teorike dhe praktike, dëshmon për seriozitetin, cilësinë dhe nivelin e lartë profesional të këtij programi trajnues”, tha z. Sveçla.

Ministri në detyrë z. Sveçla theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit për vazhdimin e investimeve në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të shërbimit zjarrfikës, duke nënvizuar se siguria publike dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve mbeten prioritet i padiskutueshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Genc Metaj, uroi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit profesional dhe i inkurajoi ata që njohuritë dhe përvojën e fituar t’i ndajnë me kolegët e tyre. Ai theksoi se misioni i zjarrfikësit nuk është vetëm detyrë profesionale, por një mision fisnik që kërkon përkushtim të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.

Nga ana e tij, ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, z. Shefki Abdullahu, përgëzoi kadetët e diplomuar, duke vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tyre gjatë procesit të trajnimit.

“Përfundimi i këtij trajnimi shënon një etapë të rëndësishme të zhvillimit tuaj profesional, por njëkohësisht bart edhe përgjegjësi të shtuara. Njohuritë e fituara duhet të zbatohen me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të lartë, gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik”, u shpreh z. Abdullahu.

Ai theksoi se, falë punës, angazhimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional, AME është sot konkurruese me institucionet homologe të vendeve fqinje dhe më gjerë në menaxhimin efikas dhe profesional të situatave emergjente.

Instruktori i AME-së, z. Bekim Sadiku, shprehu krenarinë për kadetët, të cilët gjatë trajnimit kanë dëshmuar përkushtim dhe seriozitet në përvetësimin e njohurive teorike dhe praktike për menaxhimin profesional të situatave emergjente. Ai u uroi të sapodiplomuarve shëndet, suksese dhe punë të denjë në shërbim të sigurisë publike.

Në emër të kadetëve, z. Mërgim Zena shprehu ndjenjën e krenarisë dhe nderit që, së bashku me kolegët e tij, nga sot do të jenë pjesë e shërbimit zjarrfikës, duke shërbyer me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm në çdo situatë emergjente në vend dhe më gjerë.

Në fund të ceremonisë, kadetëve iu ndanë certifikatat e Trajnimit Profesional për Zjarrfikës, me urimin që të ketë sa më pak raste emergjente, por që në çdo situatë të tillë, të sapodiplomuarit të jenë të gatshëm të veprojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.



Akademia përfaqësohet në Konferencën XI-të Shkencore Ndërkombëtare të Akademisë së Sigurisë në Tiranë

Tiranë, 17 dhjetor 2025 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike është përfaqësuar në Konferencën XI-të Shkencore Ndërkombëtare të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, me temë: “Forcimi i proceseve të integrimit ndërmjet policisë shkencore, praktikës policore dhe inteligjencës artificiale”, e cila u mbajt më 17 dhjetor 2025.

 

Në këtë konferencë me karakter ndërkombëtar, AKSP u përfaqësua nga u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, i cili mori pjesë në sesionet shkencore dhe mbajti fjalën hyrëse në emër të institucionit. Në adresimin e tij, u.d. Dekani përgëzoi Akademinë e Sigurisë në Tiranë për sukseset e arritura në proceset e akreditimit institucional, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, duke vlerësuar njëkohësisht konsistencën dhe vazhdimësinë në organizimin e konferencave shkencore. Ai theksoi se fakti që kjo ishte konferenca e XI-të shkencore e organizuar nga Akademia e Sigurisë dëshmon përkushtimin e saj për të kontribuar në avancimin e shkencës dhe të bashkëpunimit shkencor dhe akademik ndërkombëtar.

 

Prof. Bytyqi vuri në pah rëndësinë e këtyre aktiviteteve shkencore për avancimin e mësimdhënies së bazuar në hulumtim shkencor, si dhe për shfrytëzimin e gjetjeve shkencore në hartimin e politikave publike të qëndrueshme.

 

Në kuadër të kësaj konference, me kumtesë u paraqit edhe mësimdhënësi me marrëdhënie të rregullt pune në AKSP, Prof. Ass. Dr. Fidair Berisha, i cili prezantoi punimin me titull: “Keqpërdorimi i Inteligjencës Artificiale nga Grupet Ekstremiste dhe Organizatat Terroriste”, duke trajtuar sfidat dhe rreziqet që paraqet për sigurinë publike dhe ndërkombëtare përdorimi i inteligjencës artificiale nga grupe dhe organizata të tilla.


 

U mbajt sot takimi i 44-të i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri, 12 dhjetor 2025 - Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbajti sot takimin e 44-të të radhës, i cili shënon takimin e fundit për vitin 2025. Ky takim u përqendrua në diskutimin e standardeve profesionale për institucionet e sigurisë, si dhe në shqyrtimin e projekt-planit vjetor të trajnimeve për vitin 2026, në fushën e sigurisë publike.

 

Kryesuesi i Bordit, z. Ismail Dibrani hapi mbledhjen dhe pas miratimit të rendit të ditës të takimit të 44-të, Bordi vazhdoi punimet.

 

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Shpend Shabani, falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë publike për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të frytshëm. Ai shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë me të njëjtën intensitet edhe në vitet në vijim, për të arritur objektivat e përbashkëta.

 

Në vijim, Drejtori Shabani informoi anëtarët e Bordit për aktivitetet dhe veprimet e ndërmarra gjatë vitit 2025 nga AKSP, duke theksuar se Akademia mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë publike në realizimin e programeve trajnuese dhe arsimore të planifikuara. Ai po ashtu theksoi gatishmërinë e Akademisë për të ofruar trajnime shtesë, në varësi të nevojave specifike të institucioneve të sigurisë.

 

Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar ishte procesi i riakreditimit të Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP). Drejtori Shabani informoi se ka përfunduar një punë voluminoze për përgatitjen e dosjes së riakreditimit dhe shprehu optimizmin se FSP do të riakreditohet me sukses, duke ofruar mundësi të reja për studentët e ardhshëm.

 

Emin Uka, udhëheqës i Divizionit për Sigurim të Cilësisë, prezantoi para anëtarëve standardet profesionale të kërkuara për institucionet e sigurisë publike. Ai dha një përshkrim të detajuar të secilës nga këto standarde dhe theksoi rëndësinë e implementimit të tyre për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në sektorin e sigurisë. Pas shqyrtimit, Bordi miratoi standardet e profesionit për gjashtë (6) institucione të sigurisë publike, si dhe Planin e Trajnimeve për vitin 2026.

 

Shaban Bajrami, udhëheqës i Kurrikulave dhe Testimeve, paraqiti planin e trajnimeve për vitin 2026, duke specifikuar edhe kohëzgjatjen dhe përmbajtjen e trajnimeve profesionale për pjesëtarët e institucioneve të sigurisë. Këto trajnime do të mbulojnë aspekte të ndryshme të sigurisë publike dhe do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve përkatëse.

 

Gjatë takimit u diskutuan edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, me fokus në angazhimin për realizimin e objektivave institucionale brenda afateve të përcaktuara, në kuadër të projekteve vjetore dhe planeve strategjike për vitin 2026 dhe periudhën pasuese.

 

Në takim morën pjesë Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Shpend Shabani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, Arsim Tahiri, Kryeshef  Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hodaj,  Drejtori Departamentit Rajonal të Doganës se Kosovës  Ardian Jashari,  Drejtori i Përgjithshëm  i  Shërbimit Korrektues të Kosovës  Ismail Dibrani,  Drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj, përfaqësuesi i OSBE-së Bylent Ribari, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga AKSP.




Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00