Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Atasheja e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Kimberly Riffe, zhvilloi takim lamtumirës në AKSP

 

Vushtrri, 14 maj 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) priti sot në një vizitë lamtumirëse znj. Kimberly Riffe, Atashe në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Drejtoreshë e Programit ICITAP në Kosovë, me rastin e përfundimit të misionit të saj në vendin tonë.

 

Znj. Riffe u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

 

Me këtë rast, z. Shabani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për kontributin e jashtëzakonshëm personal të znj. Riffe, të Programit ICITAP dhe në përgjithësi të shtetit amerikan në themelimin, zhvillimin dhe avancimin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës.

 

Ai vlerësoi lart angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të ekipit të ICITAP-it gjatë nëntë viteve të fundit, nën udhëheqjen e znj. Riffe dhe paraardhësve të saj.

 

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet AKSP-së dhe Programit ICITAP, si dhe mbështetja e dhënë në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit.

 

Po ashtu, u theksua mbështetja e Programit ICITAP në procesin e akreditimit ndërkombëtar të AKSP-së nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit në Zbatimin e Ligjit (IADLEST), si dhe kontributi në arritjen, për herë të dytë, të Çmimit të Ekselencës nga Akademia.

 

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin e saj të çmuar, në emër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shabani i ndau znj. Riffe Certifikatë Mirënjohjeje dhe emblemën zyrtare të Akademisë.

 

Gjatë takimit u rikujtuan gjithashtu përvojat dhe bashkëpunimi nëntëvjeçar i znj. Riffe në Kosovë, si dhe u ritheksua miqësia dhe partneriteti i vazhdueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Në përfundim të vizitës, znj. Riffe u përshëndet nga stafi i AKSP-së, të cilët i uruan suksese të mëtejshme në karrierë dhe në jetën e saj personale.

 

 


 

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi trajnimi i gjeneratës së 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës

 

Vushtrri, 27 prill 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka filluar zyrtarisht trajnimi profesional për gjeneratën e 63-të të kadetëve të Policisë së Kosovës. Në këtë program të trajnimit janë përfshirë gjithsej 412 kadetë.

 

Ky trajnim përbën një fazë thelbësore në përgatitjen profesionale dhe institucionale të zyrtarëve të rinj policorë, të cilët në të ardhmen do të kontribuojnë në zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.

 

Përmes këtij programi synohet ndërtimi i një kuadri profesional, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar ndaj sigurisë publike.

 

Gjatë periudhës së trajnimit, kadetët do të pajisen me njohuri profesionale dhe do të zhvillojnë shkathtësi praktike dhe kompetenca të domosdoshme për ushtrimin e detyrave të tyre si zbatues të ligjit.

 

Përmes një kombinimi të ligjëratave, ushtrimeve praktike dhe simulimeve të situatave reale, synohet që ata të jenë të përgatitur në mënyrë gjithëpërfshirëse për sfidat e profesionit si zyrtarë policor.

Në AKSP u prezantuan rezultatet e projektit shkencor mbi zbatimin e Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës

 

Vushtrri, 22 prill 2026 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është mbajtur sot tryeza për prezantimin e rezultateve të projektit shkencor “Zbatimi i standardeve të Konventës së Stambollit në fushën e hetimeve, ndjekjes penale dhe masave mbrojtëse në Republikën e Kosovës”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në fjalën hyrëse morën pjesë përfaqësues institucionalë, përfshirë u.d. Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, u.d. Prodekanen e Fakultetit të Sigurisë Publike, Dr. Sc. Anita Zenuni, si dhe përfaqësues të institucioneve të  sistemit të drejtësisë, Dr. Sc. Dardan Vuniqi, zv. Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Dr. Sc. Ahmet Imami, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. U theksua rëndësia e zhvillimit të projekteve shkencore, pasi tanimë AKSP ka marrë edhe ri-akreditimit institucional për periudhën e ardhshme pesë vjeçare, por edhe rëndësia e këtij raporti hulumtues lidhur me evidentimin e gjendjes dhe rekomandimet përkatëse në këtë fushë. Ata theksuan veçanërisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të politikave dhe praktikave në mbrojtje të viktimave.

Rezultatet e projektit u prezantuan nga bartësi i projektit, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, së bashku me ekspertin ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Vedije Ratkoceri. Gjatë prezantimit u theksua se studimi konfirmon një nivel të avancuar të harmonizimit juridik dhe normativ të Kosovës me standardet e Konventës së Stambollit, duke krijuar një bazë solide ligjore për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Megjithatë, përfundimi kryesor i studimit identifikon ekzistencën e një hendeku ndërmjet normës dhe praktikës, i cili reflektohet në mungesën e standardizimit, në kapacitetet e kufizuara institucionale, në koordinimin jo të mjaftueshëm ndërinstitucional dhe në sfida, si nën-raportimi i rasteve. Studimi rekomandon fokus të shtuar në standardizimin e procedurave, zhvillimin e mekanizmave për vlerësimin e rrezikut, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë.

Në përmbyllje, tryeza vijoi me diskutim të hapur ndërmjet pjesëmarrësve. Tryeza u drejtua nga Prof. Florentina Shala Braha, ndërsa në të morën pjesë profesorët e Fakultetit të Sigurisë Publike, zyrtarë dhe drejtues të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të ftuar nga institucionet tjera të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës.


Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00