Trajnim, arsimim dhe hulumtim me cilësi të lartë në fushën e sigurisë publike

Lajmet

Diplomojnë 397 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës

 

Vushtrri, 6 nëntor 2026 – Sot diplomoi gjenerata e 63-të e kadetëve të Policisë së Kosovës. Gjithsej 397 kadetë, të cilët përfunduan me sukses trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, tashmë do t’i bashkohen Policisë së Kosovës, në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve. Nga 397 kadetët e diplomuar, 118 janë gra dhe 279 burra.

 

Në ceremoninë solemne të diplomimit morën pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zyrtarë të Policisë së Kosovës, si dhe familjarë të kadetëve të sapodiplomuar.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, uroi kadetët e rinj, duke vlerësuar pjesëmarrjen e grave në këtë gjeneratë. Ai theksoi se Policia e Kosovës është më shumë se një institucion i rendit dhe ligjit, ndërsa shërbimin në të e cilësoi si nder dhe përgjegjësi të lartë.

 

“Nga momenti i betimit, ju do të jeni secila e secili në gatishmëri për të punuar në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim. Do të mbroni ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj”, theksoi kryeministri Kurti.

 

Ai foli edhe për mbështetjen e Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se gjatë pesë vjetëve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se profesioni i policit kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese.

 

Ai vlerësoi se rendi dhe siguria janë thelbësore për qetësinë dhe besimin e qytetarëve, duke rikujtuar se uniforma policore përfaqëson përgjegjësi dhe shërbim ndaj qytetarëve, e jo pushtet mbi ta.

 

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e cilësoi diplomimin e kësaj gjenerate si një ditë krenarie dhe emocioni, që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri profesional për kadetët.

 

“Sot jemi të nderuar në praninë tuaj. Është një ditë e veçantë, ditë krenarie, emocionesh dhe gëzimi. Ditë që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën profesionale e personale. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim”, tha Hoti.

 

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave dhe betimin e kadetëve, të cilët u zotuan se detyrën e tyre do ta ushtrojnë me profesionalizëm, përgjegjësi dhe integritet, në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.


 

 

Drejtori Ekzekutiv i CEPOL-it Jan Pecháček vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 27 tetor 2026 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) e vizitoi sot Drejtori Ekzekutiv të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Trajnimin për Zbatimin e Ligjit (CEPOL), z. Jan Pecháček, i shoqëruar Dr. Gábor Kemény, Zëvendësudhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

 

Gjatë takimit, z. Shabani i uroi mirëseardhje z. Pecháček dhe z. Kemény, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet AKSP-së dhe CEPOL-it në fushën e trajnimit profesional dhe zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë publike. Ai theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për shkëmbimin e përvojave, avancimin e njohurive profesionale dhe promovimin e praktikave të mira evropiane në fushën e sigurisë publike.

 

Me këtë rast, z. Shabani riafirmoi përkushtimin e AKSP-së për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me CEPOL-in edhe në vitet në vijim, duke vënë në pah rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive që ofron kjo agjenci përmes programeve të trajnimit, aktiviteteve të shkëmbimit profesional dhe iniciativave të tjera të përbashkëta.

 

Nga ana e tij, z. Jan Pecháček shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin me AKSP-në. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit ndërmjet dy institucioneve dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me synim forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e trajnimeve në përputhje me nevojat e institucioneve të sigurisë publike.

 

AKSP-ja dhe CEPOL-i kanë një kornizë zyrtare bashkëpunimi që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Punës më 24 mars 2017. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, AKSP përmes rolit të saj si pikë kombëtare e kontaktit për CEPOL-in në Kosovë, kordinon dhe organizon pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve përkatëse në aktivitetet dhe programet e trajnimit të Agjencisë, duke kontribuar në avancimin e njohurive profesionale dhe forcimin e kapaciteteve në fushën e zbatimit të ligjit.

 

 

AKSP merr pjesë në Konferencën Vjetore të EPTA-s 2026 në Marly të Zvicrës

23 tetor 2026 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Akademive Evropiane të Trajnimit në Shërbimet Korrektuese (EPTA) “Trajnerët e gjeneratës së re: Aftësitë digjitale dhe inteligjenca artificiale në të nxënit e së ardhmes”, e cila është mbajtur nga 21 deri më 23 tetor 2026, në kampusin e Qendrës Zvicerane për Trajnimin në Sistemin e Drejtësisë (SKJV), në Marly të Zvicrës.

 

Në këtë konferencë morrën pjesë 55 pjesëmarrës prej 25 shteteve ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike shënon herën e parë që merrë pjesë në aktivitetet e rrjetit EPTA-së dhe është përfaqësuar nga z. Shpend Shabani, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, i shoqëruar nga z. Avni Istrefi, udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë.

 

Gjatë konferencës, vëmendje e veçantë iu kushtua kompetencave që do t'u nevojiten trajnerëve në të ardhmen, integrimit të teknologjive digjitale dhe inteligjencës artificiale në proceset e të nxënit, si dhe mundësive dhe sfidave që sjellin këto zhvillime. Gjithashtu, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja lidhur me metodat inovative dhe përdorimin e mjeteve digjitale të të nxënit në nivel evropian.

 

Vizita në burgun JVA Witzwil, ishte një tjetër aktivitet i rëndësishëm i zhvilluar si pjesë e axhendës së aktiviteteve të kësaj konference.

 

Përmes pjesëmarrjes në këtë konferencë, AKSP ka forcuar mundësitë për bashkëpunim me institucionet homologe evropiane, si dhe për shkëmbimin e praktikave të avancuara ndërkombëtare, me synim zhvillimin e mëtejshëm të trajnimeve profesionale dhe përshtatjen e tyre me nevojat dhe sfidat e reja në fushën e sigurisë publike.

 

 

Statistikat

0

Numri i vijuesve të trajnimeve

0

Numri i trajnimeve

0

Numri i të diplomuarve në FSP

Institucionet e Sigurisë Publike

Pyetjet e shpeshta

Akademia e Kosovës për Siguri Publike është institucion përgjegjës për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit të lartë, zbatimin e politikave dhe strategjive të trajnimit, arsimimit të lartë si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë publike për të gjitha institucionet e sigurisë publike në Republiken e Kosovës por pa u kufizuar vetëm në:

  1. Policinë e Kosovës;
  2. Shërbimin Korrektues;
  3. Shërbimin Sprovues;
  4. Doganën e Kosovës;
  5. Agjencinë e Menaxhimit Emergjent
  6. Inspektoratin Policor të Kosovës

Zyrtar i një Agjencie të Sigurisë Publike (ASP) mund të bëhet çdo qytetar i Republikës së Kosovës i cili duhet të kaloj përmes procedurave te hapura të konkurimit. Aplikimi mund të bëhet përmes faqes zyrtare të internetit të ASP-ve përkatëse apo kritereve të përcaktuara paraprakisht prej ASP-ve, dhe pas përzgjedhjes sipas kritereve të konkursit, i njëjti i nënshtrohet Trajnimit Profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP).

Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ofron trajnime të niveleve të ndryshme dhe arsim të lartë për zyrtarët e sigurisë publike me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të tyre.

 

Programet e trajnimit fillojnë nga Trajnimi Profesional, që u dedikohet zyrtarëve fillestar që për herë të parë themelojnë marrëdhënie pune, pastaj trajnime bazike, të avancuara dhe të specializuara. Në kuadër të këtyre kategorive hyjnë trajnimi për zhvillimin e instruktorëve (ToT) dhe menaxhment dhe lidership.

Varësisht nga Analiza e Nevojave për Trajnim të Agjencioneve të Sigurisë Publike, përzgjidhen zyrtarët e caktuar për të ndjekur trajnimin përkatës. Këtë propozim për te ndjekur trajnime e bëjnë udhëheqësit e drejtperdrejt nga Agjencitë e Sigurisë Publike përkatëse, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të zyrtareve publik (zbatuesve të ligjit) dhe ofrimin e njohurive dhe shkathtësive qoft të atyre të domosdoshme apo të reja për fusha të caktuara.

Për informata të mëtejshme, mund të vizitoni faqen zyrtare të AKSP-së (www.aksp-ks.net) ose të kontaktoni përmes telefonit në numrin zyrtar: +383 (0)28 59 00 70.

Na Kontaktoni!

Kontaktet

Zyrtar përgjegjës për të pranuar dhe trajtuar sinjalizimin
Zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike
Zyrtari kontaktues me Agjencinë për Parandalimin e Korrupcionit (APK)
Zyrtari përgjegjës për zgjidhjen e situatave të konfliktit të interesit
Zyrtari për mbrojtjen e të dhënave personale
Numri i telefonit

+383 28 590 070

Orari i punës

Hëne-Premte 08:00-16:00