AKSP merr pjesë në Konferencën e 15-të të INTERPA-s në Doha të Katarit
Doha, Katar, 18 nëntor 2026 – Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mori pjesë në Konferencën e 15-të të Asociacionit Ndërkombëtar të Akademive të Policisë (INTERPA), e cila u mbajt nga 16 deri më 18 nëntor 2026, në Doha të Katarit, nën organizimin e Akademisë së Policisë së Katarit.
Konferenca, me temën “Roli i ardhshëm i akademive të policisë në ndërtimin dhe menaxhimin e njohurive të sigurisë në epokën e transformimit digjital”, mblodhi përfaqësues të akademive dhe institucioneve të trajnimit policor, anëtarë të INTERPA-s, nga 24 vende të ndryshme të botës.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike u përfaqësua nga z. Rrahim Rexha, Drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme, i cili udhëhoqi delegacionin, z. Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie të Jashtme, si dhe z. Xhemil Klinaku, Menaxher i Personelit.
Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Brendshme të Katarit, Shkëlqesia e Tij, Sheik Khalifa bin Hamad bin Khalifa Al Thani, prania e të cilit i dha rëndësi të veçantë këtij organizimi ndërkombëtar.
Pjesë e rëndësishme e agjendës ishin edhe Mbledhja e 15-të e Bordit të Përgjithshëm dhe Mbledhja e 30-të e Bordit Ekzekutiv të INTERPA-s. Gjatë këtyre takimeve u trajtuan çështje që ndërlidhen me anëtarësimin e institucioneve të reja, organizimin e aktiviteteve dhe trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe përgatitjet për konferencën e ardhshme, e cila do të mbahet në vitin 2027 në Vietnam. Në kuadër të Mbledhjes së Bordit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të kërkesës për anëtarësim dhe votimit nga anëtarët e INTERPA-s, Kazakistani u pranua si anëtari më i ri i Asociacionit.
Pjesëmarrja e AKSP-së në këtë konferencë, përveç mundësisë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive profesionale me akademitë e policisë nga vende të ndryshme të botës, përfshiu edhe vizitën në Akademinë e Policisë së Katarit, si dhe zhvillimin e takimeve bilaterale të delegacionit të AKSP-së me përfaqësuesit e delegacioneve të Kazakistanit, Indisë, Pakistanit, etj. Këto takime kishin për qëllim shkëmbimin e informatave, rolin e institucioneve në vendet respektive, krijimin e partneriteteve të reja dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim ndërinstitucional në fushën e edukimit dhe trajnimit policor.