}

NewsArticle

06/11/2026

Diplomojnë 397 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës

 

Vushtrri, 6 nëntor 2026 – Sot diplomoi gjenerata e 63-të e kadetëve të Policisë së Kosovës. Gjithsej 397 kadetë, të cilët përfunduan me sukses trajnimin në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, tashmë do t’i bashkohen Policisë së Kosovës, në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve. Nga 397 kadetët e diplomuar, 118 janë gra dhe 279 burra.

 

Në ceremoninë solemne të diplomimit morën pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, zyrtarë të Policisë së Kosovës, si dhe familjarë të kadetëve të sapodiplomuar.

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, uroi kadetët e rinj, duke vlerësuar pjesëmarrjen e grave në këtë gjeneratë. Ai theksoi se Policia e Kosovës është më shumë se një institucion i rendit dhe ligjit, ndërsa shërbimin në të e cilësoi si nder dhe përgjegjësi të lartë.

 

“Nga momenti i betimit, ju do të jeni secila e secili në gatishmëri për të punuar në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim. Do të mbroni ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ndershmëria, përgjegjësia, integriteti profesional e personal le ta udhëheqin rrugëtimin tuaj”, theksoi kryeministri Kurti.

 

Ai foli edhe për mbështetjen e Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se gjatë pesë vjetëve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind.

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se profesioni i policit kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese.

 

Ai vlerësoi se rendi dhe siguria janë thelbësore për qetësinë dhe besimin e qytetarëve, duke rikujtuar se uniforma policore përfaqëson përgjegjësi dhe shërbim ndaj qytetarëve, e jo pushtet mbi ta.

 

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e cilësoi diplomimin e kësaj gjenerate si një ditë krenarie dhe emocioni, që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri profesional për kadetët.

 

“Sot jemi të nderuar në praninë tuaj. Është një ditë e veçantë, ditë krenarie, emocionesh dhe gëzimi. Ditë që shënon përfundimin e një rrugëtimi të rëndësishëm dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën profesionale e personale. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim”, tha Hoti.

 

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave dhe betimin e kadetëve, të cilët u zotuan se detyrën e tyre do ta ushtrojnë me profesionalizëm, përgjegjësi dhe integritet, në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.


 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Drejtori Ekzekutiv i CEPOL-it Jan Pecháček vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Drejtori Ekzekutiv i CEPOL-it Jan Pecháček vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 27 tetor 2026 – Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) e vizitoi sot Drejtori Ekzekutiv të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Trajnimin për Zbatimin e Ligjit (CEPOL), z. Jan Pecháček, i shoqëruar Dr. Gábor Kemény, Zëvendësudhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Delegacioni u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

 

Gjatë takimit, z. Shabani i uroi mirëseardhje z. Pecháček dhe z. Kemény, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet AKSP-së dhe CEPOL-it në fushën e trajnimit profesional dhe zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë publike. Ai theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për shkëmbimin e përvojave, avancimin e njohurive profesionale dhe promovimin e praktikave të mira evropiane në fushën e sigurisë publike.

 

Me këtë rast, z. Shabani riafirmoi përkushtimin e AKSP-së për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me CEPOL-in edhe në vitet në vijim, duke vënë në pah rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive që ofron kjo agjenci përmes programeve të trajnimit, aktiviteteve të shkëmbimit profesional dhe iniciativave të tjera të përbashkëta.

 

Nga ana e tij, z. Jan Pecháček shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin me AKSP-në. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit ndërmjet dy institucioneve dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me synim forcimin e kapaciteteve profesionale dhe zhvillimin e trajnimeve në përputhje me nevojat e institucioneve të sigurisë publike.

 

AKSP-ja dhe CEPOL-i kanë një kornizë zyrtare bashkëpunimi që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Punës më 24 mars 2017. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, AKSP përmes rolit të saj si pikë kombëtare e kontaktit për CEPOL-in në Kosovë, kordinon dhe organizon pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve përkatëse në aktivitetet dhe programet e trajnimit të Agjencisë, duke kontribuar në avancimin e njohurive profesionale dhe forcimin e kapaciteteve në fushën e zbatimit të ligjit.

 

 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës