}

NewsArticle

19/08/2026

Delegacioni nga Maqedonia e Veriut vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

 

Vushtrri, 19 gusht 2026 – Një delegacion nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga z. Aleksandar Pandov, Drejtor i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, me bashkëpunëtorë, si dhe nga z. Ismail Dibrani, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) me bashkëpunëtorë.

 

Z. Shpend Shabani i uroi mirëseardhje delegacionit dhe e falënderoi për vizitën, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Në këtë drejtim, z. Shabani theksoi se AKSP mbetet e hapur dhe e gatshme për thellimin e bashkëpunimit me institucionet homologe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht përmes shkëmbimit të përvojave, praktikave të mira dhe njohurive profesionale, me synim fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe kontribuimin në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe më gjerë.

 

Drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, u uroi të pranishmëve mirëseardhje në Kosovë dhe në Akademi, duke çmuar bashkëpunimin profesional që kanë të dyja institucionet përkatëse për ekzekutimin e sanksioneve penale të të dyja shteteve, pra Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve e Maqedonisë së Veriut.

 

Ai i njoftoi shkurtimisht të pranishmit lidhur me rolin, misionin dhe fushëveprimtarinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), duke theksuar se kjo vizitë paraqet një mundësi të mirë për njohje më të afërt me punën, praktikat dhe përvojat e këtij institucioni. Duke vlerësuar nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërinstitucional, drejtori Dibrani shprehu gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, jo vetëm me homologët nga Republika e Maqedonisë së Veriut, por edhe me institucionet homologe nga vendet e rajonit.

 

Gjatë takimit, delegacioni nga Republika e Maqedonisë së Veriut u njoftua për misionin, funksionin dhe aktivitetet e AKSP-së, si dhe për bashkëpunimin e saj me institucionet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë publike. Në veçanti, u prezantua bashkëpunimi ndërmjet AKSP-së dhe institucioneve të sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks në shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.

 

Nga ana e tij, Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Pandov, shprehu mirënjohje për mikpritjen e ofruar në AKSP, si dhe vlerësoi lart të arriturat e Akademisë në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë publike.

 

Përfaqësuesit e delegacionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut veçanërisht vlerësuan rolin e AKSP-së në ofrimin e programeve të avancuara të trajnimit profesional, në përputhje me standardet dhe praktikat bashkëkohore ndërkombëtare.

 

Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar se shkëmbimi i vazhdueshëm i përvojave dhe praktikave profesionale ndërmjet institucioneve homologe kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në avancimin e sigurisë publike në nivel rajonal.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike diplomoi gjenerata e 46-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës
Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike diplomoi gjenerata e 46-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

 

Vushtrri, 14 gusht 2026 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) u zhvillua sot ceremonia solemne e diplomimit të gjeneratës së 46-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Pas përfundimit me sukses të trajnimit profesional, 100 zyrtarë të rinj korrektues i bashkohen SHKK-së, duke kontribuar në përmbushjen e misionit të këtij institucioni për garantimin e sigurisë dhe zbatimin e standardeve profesionale në sistemin korrektues.

 

Në ceremoninë solemne morën pjesë personalitete të larta shtetërore, përfshirë Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, eprorë dhe zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe të Agjencioneve të tjera të Sigurisë, zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe familjarë të kadetëve të sapodiplomuar.

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në fjalën e tij drejtuar kadetëve, theksoi se detyra e zyrtarit korrektues përfaqëson një përgjegjësi të madhe dhe një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe respektimin e dinjitetit të personave të privuar nga liria.

 

Ai tha se, nga sot, zyrtarët e rinj korrektues përfaqësojnë shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe se, në çdo situatë, duhet të veprojnë me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe me dinjitet.

 

“Nga nesër fillon përgjegjësia e vërtetë. Mbajeni lart uniformën, zbatoni ligjin dhe shërbeni me ndershmëri, duke afirmuar profesionalizmin për çdo ditë dhe në secilën situatë”, tha Kryeministri Kurti.

 

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Kurti falënderoi Shërbimin Korrektues të Kosovës, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, instruktorët dhe familjarët e kadetëve për mbështetjen e tyre gjatë rrugëtimit profesional.

 

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, përgëzoi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit, duke theksuar se respektimi i dinjitetit njerëzor duhet të jetë parim themelor në ushtrimin e detyrës së zyrtarit korrektues.

 

Ajo theksoi se detyra e zyrtarëve korrektues nuk lidhet vetëm me ruajtjen e rendit, por edhe me garantimin e sigurisë, ligjshmërisë dhe trajtimit njerëzor të personave të privuar nga liria.

 

“Detyra juaj nuk është vetëm të ruani rendin, por të bëni të mundur që siguria, ligjshmëria dhe trajtimi njerëzor të bashkëjetojnë çdo ditë në institucionet tona korrektuese. Një sistem korrektues modern nuk mund të mjaftohet vetëm me ekzekutimin e dënimit, por duhet të krijojë kushte që një person, pas përfundimit të dënimit, të ketë mundësi reale për rehabilitim dhe rikthim në shoqëri. Dhe në këtë proces, roli juaj është i pazëvendësueshëm”, tha Gërvalla-Schwarz.

 

Drejtori i SHKK-së, z. Ismail Dibrani, pasi uroi kadetët për diplomimin, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj korrektues që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor.

 

Ai theksoi se roli i zyrtarëve korrektues nuk kufizohet vetëm në garantimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese, por përfshin edhe mbështetjen e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve.

 

“Për ju, kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë. Do të thotë të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju”, tha Dibrani.

 

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani, uroi kadetët për përfundimin me sukses të trajnimit profesional, duke theksuar se detyra e zyrtarit korrektues kërkon profesionalizëm, disiplinë, vetëkontroll dhe integritet, si dhe angazhim të vazhdueshëm në garantimin e sigurisë dhe mbështetjen e proceseve të risocializimit.

 

“Certifikata që merrni sot nuk është vetëm dëshmi se keni përfunduar programin, ajo është edhe një premtim profesional ndaj Republikës së Kosovës se dijen, aftësitë dhe autoritetin që ju është besuar do t’i përdorni me ndershmëri”, tha z. Shabani.

 

Në emër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, z. Shabani përgëzoi zyrtarët e rinj korrektues dhe u uroi një karrierë të ndërtuar mbi profesionalizëm, disiplinë dhe integritet.

 

“Profesionalizmi juaj do të shihet kur askush nuk ju vëzhgon. Integriteti juaj do të provohet kur vendimi i drejtë është më i vështiri. Ndërsa nderi i uniformës do të varet çdo ditë nga mënyra se si ju e mbani atë. Andaj, shërbejini ligjit. Ruajeni integritetin. Nderojeni uniformën dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh z. Shabani.

 

Almendina Ajvazi, kadete, falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për arritjet dhe përmbylljen me sukses të trajnimit profesional,  ndërsa premtoi  se punën e zyrtarëve korrektues do ta ushtrojnë me përgjegjësi, integritet, dispilinë duke respektuar ligjin.

 

Ceremonia e diplomimit të kadetëve për zyrtarë korrektues u përmbyll me koktej rasti për të gjithë pjesmarrësit.  



 

Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës