Zyrtarë të AKSP-së morën pjesë në Konferencën Vjetore të IADLEST në SHBA
Vushtrri, 12 qershor 2026 – Dy zyrtarë të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), dr. Vilard Bytyqi, ushtrues detyre i Dekanit të Fakultetit për Siguri Publike, dhe z. Emin Uka, Udhëheqës i Divizionit për Sigurim të Cilësisë, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, Kolonel Fehmi Hoti, Kolonel Dejan Janković, zëvendësdrejtor të përgjithshëm, si dhe Kolonele Taibe Canolli, drejtoreshë e Departamentit të Burimeve Njerëzore, morën pjesë në Konferencën Vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST), e mbajtur në Fort Worth, Texas, SHBA, nga 7 deri më 10 qershor 2026.
Pjesëmarrja në këtë konferencë vazhdon angazhimin e kahershëm të AKSP-së në rrjetet ndërkombëtare të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike. Që nga viti 2012, përfaqësues të Akademisë kanë marrë pjesë në njëmbëdhjetë konferenca vjetore të IADLEST-it, duke e renditur AKSP-në ndër institucionet më aktive ndërkombëtare që bashkëpunojnë me këtë organizatë.
IADLEST është një organizatë profesionale që promovon zhvillimin e standardeve dhe praktikave më të mira në trajnimin dhe certifikimin e personelit të sigurisë publike. Përmes aktiviteteve të saj, organizata mbështet bashkëpunimin ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e sistemeve të trajnimit për institucionet e zbatimit të ligjit.
AKSP gëzon një histori të suksesshme bashkëpunimi me IADLEST. Në vitin 2018, Akademia u bë institucioni i parë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u akreditua nga kjo organizatë. Më pas, në vitet 2021 dhe 2024, AKSP u riakreditua me sukses, duke u vlerësuar në të dy rastet me Çmimin e Ekselencës, një nga vlerësimet më të larta që jep IADLEST për institucionet e trajnimit në fushën e sigurisë publike. Akreditimi aktual është i vlefshëm deri në vitin 2028.
Pjesëmarrja në konferenca të tilla ndërkombëtare kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të Akademisë, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe avancimin e vazhdueshëm të standardeve të arsimit dhe trajnimit në fushën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.