}

NewsArticle

17/12/2025

Akademia përfaqësohet në Konferencën XI-të Shkencore Ndërkombëtare të Akademisë së Sigurisë në Tiranë

 

Tiranë, 17 dhjetor 2025 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike është përfaqësuar në Konferencën XI-të Shkencore Ndërkombëtare të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, me temë: “Forcimi i proceseve të integrimit ndërmjet policisë shkencore, praktikës policore dhe inteligjencës artificiale”, e cila u mbajt më 17 dhjetor 2025.

 

Në këtë konferencë me karakter ndërkombëtar, AKSP u përfaqësua nga u.d. Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Prof. Asoc. Dr. Vilard Bytyqi, i cili mori pjesë në sesionet shkencore dhe mbajti fjalën hyrëse në emër të institucionit. Në adresimin e tij, u.d. Dekani përgëzoi Akademinë e Sigurisë në Tiranë për sukseset e arritura në proceset e akreditimit institucional, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, duke vlerësuar njëkohësisht konsistencën dhe vazhdimësinë në organizimin e konferencave shkencore. Ai theksoi se fakti që kjo ishte konferenca e XI-të shkencore e organizuar nga Akademia e Sigurisë dëshmon përkushtimin e saj për të kontribuar në avancimin e shkencës dhe të bashkëpunimit shkencor dhe akademik ndërkombëtar.

 

Prof. Bytyqi vuri në pah rëndësinë e këtyre aktiviteteve shkencore për avancimin e mësimdhënies së bazuar në hulumtim shkencor, si dhe për shfrytëzimin e gjetjeve shkencore në hartimin e politikave publike të qëndrueshme.

 

Në kuadër të kësaj konference, me kumtesë u paraqit edhe mësimdhënësi me marrëdhënie të rregullt pune në AKSP, Prof. Ass. Dr. Fidair Berisha, i cili prezantoi punimin me titull: “Keqpërdorimi i Inteligjencës Artificiale nga Grupet Ekstremiste dhe Organizatat Terroriste”, duke trajtuar sfidat dhe rreziqet që paraqet për sigurinë publike dhe ndërkombëtare përdorimi i inteligjencës artificiale nga grupe dhe organizata të tilla.


 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

U mbajt sot takimi i 44-të i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike
U mbajt sot takimi i 44-të i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike

Vushtrri, 12 dhjetor 2025 - Bordi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbajti sot takimin e 44-të të radhës, i cili shënon takimin e fundit për vitin 2025. Ky takim u përqendrua në diskutimin e standardeve profesionale për institucionet e sigurisë, si dhe në shqyrtimin e projekt-planit vjetor të trajnimeve për vitin 2026, në fushën e sigurisë publike.

 

Kryesuesi i Bordit, z. Ismail Dibrani hapi mbledhjen dhe pas miratimit të rendit të ditës të takimit të 44-të, Bordi vazhdoi punimet.

 

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Shpend Shabani, falënderoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë publike për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të frytshëm. Ai shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë me të njëjtën intensitet edhe në vitet në vijim, për të arritur objektivat e përbashkëta.

 

Në vijim, Drejtori Shabani informoi anëtarët e Bordit për aktivitetet dhe veprimet e ndërmarra gjatë vitit 2025 nga AKSP, duke theksuar se Akademia mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë publike në realizimin e programeve trajnuese dhe arsimore të planifikuara. Ai po ashtu theksoi gatishmërinë e Akademisë për të ofruar trajnime shtesë, në varësi të nevojave specifike të institucioneve të sigurisë.

 

Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar ishte procesi i riakreditimit të Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP). Drejtori Shabani informoi se ka përfunduar një punë voluminoze për përgatitjen e dosjes së riakreditimit dhe shprehu optimizmin se FSP do të riakreditohet me sukses, duke ofruar mundësi të reja për studentët e ardhshëm.

 

Emin Uka, udhëheqës i Divizionit për Sigurim të Cilësisë, prezantoi para anëtarëve standardet profesionale të kërkuara për institucionet e sigurisë publike. Ai dha një përshkrim të detajuar të secilës nga këto standarde dhe theksoi rëndësinë e implementimit të tyre për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në sektorin e sigurisë. Pas shqyrtimit, Bordi miratoi standardet e profesionit për gjashtë (6) institucione të sigurisë publike, si dhe Planin e Trajnimeve për vitin 2026.

 

Shaban Bajrami, udhëheqës i Kurrikulave dhe Testimeve, paraqiti planin e trajnimeve për vitin 2026, duke specifikuar edhe kohëzgjatjen dhe përmbajtjen e trajnimeve profesionale për pjesëtarët e institucioneve të sigurisë. Këto trajnime do të mbulojnë aspekte të ndryshme të sigurisë publike dhe do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve përkatëse.

 

Gjatë takimit u diskutuan edhe disa çështje të tjera të rëndësishme, me fokus në angazhimin për realizimin e objektivave institucionale brenda afateve të përcaktuara, në kuadër të projekteve vjetore dhe planeve strategjike për vitin 2026 dhe periudhën pasuese.

 

Në takim morën pjesë Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë Shpend Shabani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, Arsim Tahiri, Kryeshef  Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hodaj,  Drejtori Departamentit Rajonal të Doganës se Kosovës  Ardian Jashari,  Drejtori i Përgjithshëm  i  Shërbimit Korrektues të Kosovës  Ismail Dibrani,  Drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj, përfaqësuesi i OSBE-së Bylent Ribari, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga AKSP.




Lexo më shumë
Logo

Na ndiqni në rrjetet sociale!

Lokacioni:

Rr: "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", Nr.60, 42000 Vushtrri, Republika e Kosovës