Përfaqësuesit e AKSP-së morën pjesë në takimin e organizuar në Kroaci në kuadër të projektit “Përpjekje e përbashkët për ndërtimin e kapaciteteve: Mbikëqyrja e kufijve duke respektuar të drejtat e njeriut”
Zagreb, Kroaci, 29 tetor - Me ftesë të Akademisë së Policisë së Kroacisë “Polici i Parë Kroat”, përfaqësuesit e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), z.Shpend Shabani, Ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm, dhe z.Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë, së bashku me përfaqësues nga Policia e Kosovës morën pjesë në takimin e udhëheqësve të Institucioneve të arsimit policor dhe përfaqësuesve të policisë kufitare në kuadër të projektit “Përpjekje e përbashkët për ndërtimin e kapaciteteve: Mbikëqyrja e kufijve duke respektuar të drejtat e njeriut (“Common effort on capacity building: Border surveillance with respect to human rights”), që u mbajt më 28-29 tetor 2025 në Zagreb, Kroaci.
Ngjarja u organizua nga Akademia e Policisë e Kroacisë “Polici i parë kroat”, në bashkëpunim me Akademinë Federale të Policisë së Lübeck, Gjermani, dhe mblodhi përfaqësues nga institucione të arsimit policor dhe të policisë kufitare nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Polonia.
Gjatë takimit, fokusi kryesor ishte vlerësimi i ndikimit të trajnimeve të zhvilluara në kuadër të projektit në shpërndarjen e njohurive dhe përvojave të pjesëmarrësve tek kolegët e tyre në vendet përkatëse, si dhe shkëmbimi i ideve për fusha të reja bashkëpunimi, përfshirë trajnime në zbulimin e mashtrimeve me dokumente dhe zhvillimin e kapaciteteve në arsimin e të rriturve.
Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë ngjarje, përfaqësuesit e AKSP-së zhvilluan takime me delegacionet pjesëmarrëse, me fokus në inicimin dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e arsimit policor dhe zhvillimit profesional. Gjatë këtyre takimeve, AKSP prezantoi ide dhe mundësi për bashkëpunime të mëtejshme, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve të arsimit policor në rajon dhe Evropë.
Në përmbyllje të takimit, u theksua se kontributi i përbashkët i të gjitha palëve pjesëmarrëse riafirmon se përmes bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta mund të ndërtohen kufij më të sigurt, duke respektuar njëkohësisht të drejtat themelore të njeriut.