Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

22.08.2019Vushtrri, 21 gusht 2019 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot e vizitoi Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, drejtorët e departamenteve të Akademisë si dhe udhëheqësit e departamentit të trajnimeve të Policisë së Kosovës në Akademi.

 

Drejtori Smakiqi e njoftoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës Veseli për aktualitetet në Akademi, ku është duke u zhvilluar trajnimi profesional për Policë të Ri, të cilin e ndjekin 416 kadet të Policisë së Kosovës. Gjithashtu ai shtoi se gjatë vitit 2019 në Akademi kanë përfunduar trajnimet profesionale 17 kadet të  Inspektoratit Policor të Kosovës si dhe 119 kadet të Shërbimi Korrektues i Kosovës, po ashtu siç tha drejtori Smakiqi në Fakultetin e Sigurisë Publike ndjekin studimet 240 student.

Drejtori Smakiqi e informoi  Veseli për akreditimin ndërkombëtar të cilin e fitoi Akademia nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në maj të vitit 2018, pas vlerësimit gati një vjeçar nga ekipi i ekspertëve i këtij Asociacioni. Të gjitha Programet Profesionale janë akredituar në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve, kurse Programi Studimor është akredituar dhe Ri akredituar nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës, përfundoi Smakiqi.

 Ndërsa kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, i inkurajoi kadetët e Policisë së Kosovës për vendimin e tyre që të i bashkëngjiten Policisë së Kosovës, e cila sic tha ai e ka kredibilitetin e institucionit më të besueshëm në Kosovë dhe regjion. “Ju po ashtu ndjekeni trajnimin në një Akademi e cila ka programe të akredituara dhe e cila prinë në regjion për cilësi”, tha kryetari Veseli.

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli vizitoi edhe hapësirat e Akademisë duke takuar dhe biseduar me zyrtar të Akademisë, të Agjencive të Sigurisë Publike, student dhe kadet të agjencive.