AKTIVITETET NDËRKOMBËTARE

Organizuar nga ICITAP dhe me mësimdhënie nga Universiteti North-Western nga Shtetet e Bashkuara, për të pestën herë në AKSP është mbajtur Shkolla Vjetore e Stafit dhe Komandës Policore, që i dedikohet zyrtarëve të nivelit të lartë menaxhues të institucioneve të zbatimit të ligjit. Përveç vendorëve, pjesëmarrësit vijnë nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia.  Përderisa në sesionin e fundit në këtë trajnim kanë qenë të pranishëm zyrtarë të sigurisë publike vetëm nga Kosova.

 

AKSP është aktive edhe në bashkëpunimin regjional. Ajo ka bashkëpunim dypalësh dhe shumëpalësh me shumë institucione të ngjashme të Evropës Jug-Lindore.

 

Nga 22 – 25 shtator 2013, në Prishtinë ëshë bashkë-organizuar nga AKSP-ja e Policia e Kosovës dhe përkrahur nga Misioni në Kosovë i OSBE-së Konferenca e Tretë e Trajnimit Policor e Vendeve të Ballkanit (BALPEK III) me pjesëmarrës nga Shqipëria, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia.

 

Po ashtu, gjatë vitit 2016, zyrtarë nga AKSP kanë marrë pjesë në 4 nga 5 tryeza të rrumbullakëta të organizuara nga Akademia Policore e Malit të Zi në Danilovgrad dhe përkrahur nga Misioni i OSBE-së në Malin e Zi. Si ngjarje përmbyllëse e këtyre tryezave të rrumbullakëta ka qenë Konferenca regjionale  “Avancimi i sistemit të pranimit, gradimit, arsimimit dhe trajnimit të zyrtarëve policorë të Malit të Zi”,  mbajtur në Podgoricë të Malit të Zi më 21 dhe 22 dhjetor 2016, në të cilën morën pjesë krerët e institucioneve përkatëse nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova.



Për më tepër, përmes programit Erasmus+, AKSP ka arritur që deri më tani të realizojë shkëmbimin e gjithsej 25 pjesëtarëve të studentëve, stafit akademik dhe stafit administrativ në Estoni, Gjermani e Poloni. Kështu, janë shkëmbyer 12 studentë (4 me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Sigurisë dhe 8 me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë), 4 pjesëtarë të stafit akademik (me Akademinë e Estonisë të Shkencave të Sigurisë), 2 pjesëtarë të stafit administrativ (me Shkollën Kryesore të  Shërbimit të zjarrfikjes të Polonisë) dhe 7 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Policisë së Brandenburgut të Gjermanisë).

 

Për shkak të së kaluarës së AKSP-së si institucion trajnues dhe arsimues për institucionet e sigurisë publike të një vendi të pasluftës, në mënyrë që të ndajë përvojat dhe praktikat më të mira të saj, është treguar interes i shoqërive të pas konflikteve për bashkëpunim me të. Prandaj, AKSP është vizituar nga delegacione të ndryshme nga Libia, Iraku dhe Afganistani.


AKSP ka bashkëpunim të mirë edhe me organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë, siç janë: Misioni në Kosovë i OSBE-së, ICITAP, Zyra e BE-së në Kosovë, Këshilli i Evropës, KFOR, EULEX, UNICEF, si dhe me ambasadat të shteteve të ndryshme në Kosovë si në vijim: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Belgjika, Austria, Finlanda, Hungaria, Turqia, Shqipëria etj. Po ashtu, AKSP ka bashkëpunim edhe me Qendrën e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF).