OSBE-ja dhuron donacion për agjencionet e sigurisë publike

09.03.2009

Vushtrri, 09 Mars 2009  

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhuroi donacion për Qendrën e Kosovës për  Siguri Publike dhe agjencionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë. Ky donacion përmbante çantat e kuqe për ndihmë të parë në zonat urbane, dhe çantat ngjyrë hiri që shërbejnë për ndihmë të parë në zonat rurale.

Disa nga këto çanta do të shfrytëzohen për trajnim në QKSPEZH,  ndërsa të tjerat do të shfrytëzohen nga Qendra e Trajnimit të DME-së, Shërbimi Zjarrfikës i Shpëtimit dhe Policia e Kosovës.

Ceremonia e dhënies së donacionit u mbajt sot, duke filluar nga ora 11:00, në bazën e Departamentit për Menaxhim të Emergjencave (DME), në fshatin Studime (afër Vushtrrisë).

Të pranishëm në ceremoni ishin: Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer, Sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Jashari, Drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, drejtori i Departamentit për Siguri pranë OSBE-së, Carsten Tweinmayer si dhe përfaqësus të tjerë të agjencioneve të sigurisë publike.

Ambasadori Almhofer falenderoi agjencionet e sigurisë për gadishmërinë që kanë treguar në bashkëpunim të vazhdueshëm. Ai tha se “përmes trajnimeve dhe punës së përbashkët, realizohet përpjekja jonë që të gjithë së bashku të përmirësojmë kushtet  e jetesës në Kosovë”.

“Ky nuk është fundi i donacioneve nga OSBE-ja dhe mbështetja jonë nuk do të mungojë as në të ardhmen”, tha ambasadori Almhofer.

Ndërkaq, sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Jashari, në emër të ministrit të MPB-së, Zenun Pajaziti, falenderoi OSBE-në për donacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

“Hapat që kanë arritur institucionet vendore, do të ishin të pamundur pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe ndihma e tyre edhe më tutje është e mirëseardhur”, tha z. Jashari.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti, falenderoi OSBE-në për mbështetje dhe ngritje të integritetit të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera të rendit dhe sigurisë.

“Nuk ka munguar asnjëherë mbështetja e OSBE-së për Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, duke dhuruar donacione të shumta në pajisje, ndërtimin e poligoneve si dhe angazhimi për ngritjen profesionale të sektorit të sigurisë në përgjithësi”, tha z. Ahemti.

Pas pranimit të donacionit, u bë demonstrimi praktik i një ushtrimi me skenar të një aksidenti mes dy veturave ku kishte persona të lënduar, që dëshmon bashkëpunimin e Shërbimit Zjarrfikës, Shërbimit të Ambulancës dhe Policisë së Kosovës.

Sipas shefit të Sektorit për Zhvillim të Sigurisë Publike (Departamenti për Siguri dhe Çështje të Sigurisë, OSBE), Heinz Schneider, ky demonstrim paraqiste filozofinë e trajnimeve që zhvillohen në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike dhe falenderoi u.d./drejtorin e QKSPEZH-së,Lulzim Fushtica, për implementimin e vazhdueshëm të kësaj filozofie.