Inspektorati Policor i Kosovës me përkrahjen e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike organizoi seminar rajonal për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse policore

04.12.2024

Vushtrri - Prishtinë, 2 deri 4 dhjetor 2024 - Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me përkrahjen e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ka organizuar një seminar dhe vizitë studimore tre-ditore, dukem bledhur përfaqësues të agjencive mbikëqyrëse policore nga tri shtete të rajonit: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

 

Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj dhe Drejtori i AKSP-së Kastriot Jashari, mirëpritën delegacionet nga shtetet e rajonit dhe shprehën para tyre gatishmërinë për të vazhduar dhe thelluar këtë lloj bashkëpunimi ndër-institucional dhe rajonal.

 

Ky aktivitet i karakterit rajonal është organizuar në kuadër të aktiviteteve të Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore që është themeluar vitin e kaluar me nënshkrimin e marrëveshjes për këtë forum nga përfaqësuesit e agjencive të katër shteteve të rajonit: Republika e Kosovës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

 

Seminari kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të agjencive mbikëqyrëse policore në rajon përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira. Një synim tjetër i seminarit ishte edhe fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal në mbikëqyrjen e punës policore dhe krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm profesional ndërmjet agjencive pjesëmarrëse.

 

Gjatë  kësaj vizitës studimore/seminarit u mbajtën prezantime nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike mbi standardet ndërkombëtare dhe programet e trajnimit për zyrtarët e sigurisë publike. Si pjesë e shkëmbimit të përvojave ky seminar ka përfshirë edhe prezantimet e delegacioneve pjesëmarrëse lidhur me mbikëqyrjen policore, hetimet e brendshme dhe praktikat për rritjen e transparencës dhe llogaridhënien policore.

 

Seminari ka vazhduar me vizitën e delegacioneve në Inspektoratin Policor të Kosovës për t’u njohur nga afër me strukturën dhe funksionimin e IPK-së dhe departamenteve të saj.

 

Ky seminar u përmbyll duke nxitur bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet agjencive mbikëqyrëse policore të rajonit për një mbikëqyrje më efektive dhe transparente të punës policore.