Udhëheqësit e Lartë të AKSP-së dhe PK-së morën pjesë në konferencën vjetore të IADLEST në Milwaukee, Wisconsin, SHBA

18.06.2019

Milwaukee, 12 qershor 2019 - Në qytetin Milwaukee, Wisconsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga data 10 deri 12  u mbajt konferenca vjetore e Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (International Association of Directors of Law Enforcement Standardsand Training - IADLEST).

Në këtë konferencë morën  pjesë udhëheqës të lartë,  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore Shpend Shabani. Ndërsa  nga Policia e Kosovës, drejtor i Divizionit për Personel dhe Administratë, kolonel Hilmi Pacolli, drejtoresha e Drejtorisë për Mbështetje të Trajnimeve te Specializuara dhe Avancuara, kolonele Zylfije Krasniqi si dhe zyrtarja e ICITAP-it Remzije Ibrahimi, një herit koordinatore nga ICITAP-i në Policinë e Kosovës.


Konferenca IADELEST u ofron anëtarëve të saj mundësinë për t'u takuar, për të shkëmbyer ide, për të kërkuar këshilla dhe për të krahasuar progresin. Të gjithë pjesëmarrësit në konferencën vjetore janë anëtarë të IADLEST. Drejtori Smakiqi është anëtar i këtij asociacioni që nga viti 2011 kur është anëtarësuar në IADLEST ( i përkrahur nga ICITAP-i) dhe merr pjesë për herë të gjashtë në konferencën vjetore IADELEST.


Në konferencën vjetore në Milwaukee, marrin pjesë drejtorët e standardeve të akademive policore nga 40 shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe drejtorët e akademive policore dhe sigurisë publike nga disa vende të botës, në mesin e të cilëve drejtorët e akademive policore dhe të sigurisë publike nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut e të tjera.


Në ditën e parë të Konferencës, pjesëmarrësit patën rastin të dëgjojnë në dy seanca plenare folësin kryesor togerin Brajan Murphy, i cili siç tha  ai në gushtin e vitit 2012 u qëllua 15 herë nga një sulmues në tempullin “sik” në Wisconsin të SHBA-ve  ku në ketë rast sulmuesi vrau pesë dhe plagosi dy veta . Togeri Brajan Murphy i mbijetoi plagëve të rënda në trup dhe kokë dhe gjatë dy seancave në konferencë shpjegojë ngjarjet e zhvillimit të asaj dite. Togeri Murphy foli për rëndësinë e trajnimit të oficerëve policorë duke i inkurajuar pjesëmarrësit e konferencës të vazhdojnë me punën e tyre në ngritjet e cilësisë të trajnimeve të oficerëve policor të vendeve të tyre.


Konferenca vazhdoi punimet dhe për dy ditë me radhë të ndarë në “tryeza të rrumbullakëta” dhe ligjërata të ndryshme.
Drejtori Smakiqi me anëtarët e delegacionit nga Akademia dhe Policia e Kosovës, zhvilluan takime me pjesëmarrësit e konferencës nga vendet e regjionit, drejtorët e standardeve të akademive amerikane dhe vendeve tjera pjesëmarrës në konferencë.


Gjatë punimeve të konferencës drejtori Smakiqi dhe delegacioni nga Akademia dhe Policia e Kosovës u takua me Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës për Siguri Publike të Universitetit Northwestern   David Bradford dhe  Cameron Fisher, ish udhëheqës i Programit të ICITAP-it në Kosovë dhe mbajtës i leksioneve të kësaj qendre, i cili ka mbajtur dy javë leksione në  kursin dhjet javor “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës” i cili aktualisht është duke u mbajtur për herë të gjashtë në AKSP. Në takim Bradford dhe Fisher arriten pajtueshmëria për përkrahjen e Akademisë në krijimin e një “Programi Studimor të Masterit – nga fusha e Menaxhmentit (Lidershipit)” i cili do të bazohet në programin gjegjësisht kurikulen e kursit të “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”.

Pajtueshmëria e përkrahjes të Akademisë në krijimin e “Programi Studimor të Masterit” nga Universitetit Northwestern, vjen si rezultat i bisedimeve më shumë se dy vjeçare të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Universitetit Northwestern si dhe kërkesës të Agjencive të Sigurisë Publike gjegjësisht rrethe 200 oficer të Policisë së Kosovës dhe zyrtar të lartë të Agjencive tjera të Sigurisë Publike të cilin e kanë ndjek dhe diplomuar kursin “Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës”.


Krijimi i Programi Studimor Mastrit në AKSP është përkrahur edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë në Tiranë Bilbil Memaj, i cili ka shprehur interesim për ndjekjen e këtij programi të masterit nga studentët e shtetit shqiptar si dhe mundësisë të mbajtjes të leksioneve në këtë program nga mësimdhënësit me kompetencë shkencore të Akademisë së Sigurisë në Tiranë.


Cikli i krijimit deri në akreditim të programit master  gjegjësisht fillimi i këtij programi do të jetë periudha 2019 – 2021, ashtu si parashihet edhe në Strategjinë Zhvillimore të AKSP-së 2019 – 2022.