Një delegacion i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizitoi Akademinë
Vushtrri, 20 mars 2019 – Një delegacion i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i udhëhequr nga Sarah Swatzburg Koordinatore e Asistencës të Shteteve për Evropë, Euro Azi dhe Azi Qendrore, Departamenti i Shteteve të Bashkuara e shoqëruar nga Matthew Briggs Sektori Ekonomik, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Drita Perezic këshilltare e lartë e ICITAP Programi Ekzekutiv i Menaxhmentit në Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe Remzije Ibrahimi Koordinatore Kombëtare në ICITAP, vizitoi sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publik (AKSP), ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi dhe nga stafi menaxhues i Akademisë; Drejtorët e Departamenteve Rrahim Rexha, Kastriot Jashari dhe Shpend Shabani.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, e njoftoi delegacionin për zhvillimet në Akademi, historikun e saj dhe planet për të ardhmen.
Drejtori Smakiqi duke e falënderuar delegacionin për vizitën e informoi edhe për trajnimet aktuale që janë duke u mbajtur në Akademi si dhe për ato që do të mbahen në të ardhmen e afër.
Në theks të veçantë drejtori para delegacionit foli edhe për procesin e akreditimit të Akademisë nga autoriteti Kombëtarë i Kualifikimeve si dhe për akreditimin Ndërkombëtar të Akademisë që është bërë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (International Association of Directors of Law Enforcement Standardsand Training - IADLEST).
Më këtë rast drejtori Smakiqi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht Ambasadën Amerikanë në Kosovë dhe ICITAPI-in për kontributin dhe për donacionet që i kanë dhënë Akademisë .
Drejtori Smakiqi e njoftoi delegacionin edhe për trajnimet që realizohen nga ana e ICITAP-it siç është trajnimi “Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore” , i cili mbahet çdo vit në Akademi.
Ndërsa, delegacion i Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke falënderuar drejtorin për pritje tha se ndjehen të lumtur për vizitën e saj në Akademi.
Sarah Swatzburg Koordinatore e Asistencës të Shteteve për Evropë, Euro Azi dhe Azi Qendrore, Departamenti i Shteteve të Bashkuara u interesua për programet trajnuese dhe studimore të cilat zhvillohen në Akademi, marrëdhënieve ndër etnike gjatë procesit të trajnimeve si dhe u zhvillua një bashkëbisedim për të kuptuarit e Policisë në Bashkësi.
Delegacioni vizitoi Kampusin e Akademisë si dhe Poligonin e Simulimit me Armë të Zjarrit, i cili është donacion nga SHBA duke marr pjesë në trajnim të kadetëve të Policisë së Kosovës.