Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike filloi viti i ri akademik për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike

08.10.2018

Vushtrri, 8 tetor 2018- Sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), u mbajt ceremonia e fillimit të vitit akademik  2018/19 për studentët e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Në ceremoninë e hapjes morën  pjesë ministri i Punëve të Brendshme  Bejtush Gashi, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, dekani i FSP-së, Nexhat Jashari, mësimdhënës të FSP-së, zyrtarë të tjerë të lartë të AKSP-së.


Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi  në fjalën e tij gjatë ceremonisë duke i uruar studentëve suksese në vitin e ri akademik 2018/19 vlerësoi  se në Fakultetin e Sigurisë Publike është duke u bërë një punë mjaftë profesionale.

“Fakulteti i Sigurisë Publike (FSP), mund të krenohet më shërbimin madhor që i ka bërë dhe po i bënë vendit, duke arsimuar dhe përgatitur kuadro në shumë agjencione dhe shërbime shtetërorë  të cilët e kanë bërë Kosovën jo vetëm vend të sigurt për qytetarët e saj, por edhe partnerë të besueshëm dhe të çmuar në  përpjekjet për forcimin e sigurisë ndërkombëtarë”, u shpreh ministri Gashi duke thënë se në Fakultetin i Sigurisë Publike janë përgatitur breza, studentë profesionistë dhe të përkushtuar,  të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës , Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Shërbimit Korrektues dhe Doganave të Kosovës.


Po ashtu ministri Gashi  ka shprehur  mirënjohjen e tij  për punën e palodhshme të të gjithë atyre  të cilët i kanë kryer studimet në këtë fakultet.

Më këtë rast ministri Gashi ka falënderuar edhe stafin mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë Publike për punën dhe kontributin e  tyre të palodhshëm.

“Shumë suksese të Kosovës  në fushën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare janë të ndërlidhura në mënyrë të pandashme në përpjekjet e tyre dhe mësimdhënësve të këtij fakulteti. Ju të nderuar mësimdhënës  keni ditur gjithmonë që t’ju jepni  studenteve  shembullin,  modelin e virtyteve të ndershmërisë dhe drejtësisë njerëzore,  që është e domosdoshme për profesionin që lidhen me Fakultetin e Sigurisë Publike”, tha Gashi. 

Në fund ministri Gashi tha se Fakulteti i Sigurisë Publike është njëri prej shtyllave të suksesit të Kosovës për ofrimin e sundimit  të ligjit.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi tha se programi studimor Bachelor i Sigurisë Publike me 240 kredi, është bazuar në nevojat e institucioneve të sigurisë publike. 

“Programi studimor i Akademisë  është koncept unik dhe i veçantë jo vetëm në Kosovë, por në rajon dhe me gjerë. Ky program studimor e ka një veçori dalluese nga programet tjera të arsimimit të lartë meqenëse një e treta e kredive të fituar të këtij programi i takojnë punës praktike”,  tha Smakiqi.


 Ai me tej shtoi se me 14 maj  të këtij  viti Akademia e Kosovës për Siguri Publike  (AKSP), e mbështetur nga partneri ndërkombëtar ICITAP, ka pranuar certifikatën me të cilën është fituar Akreditimi  Ndërkombëtar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (International Association of Directors of Law Enforcement Standardsand Training - IADLEST).


Drejtori Smakiqi tha se në vitin 2019 Akademia e Kosovës për Siguri Publike do të hapë kapitullin e ri të Strategjisë të saj të zhvillimit për katër ose pesë vitet e ardhshme. Në këtë periudhë të zhvillimit të saj strategjik, Akademia do të synoi të jetë dhe ta zhvilloj edhe më tutje epitetin “Qendër e Ekselencës” e sigurisë publike në Kosovë dhe regjion.


 “Akademia do të jetë një faktor kyç në krijimin e sigurisë në Republikën e Kosovës duke ofruar kompetenca të nivelit të lartë tek autoritetet e zbatimit të ligjit për t'iu përgjigjur sfidave që ndryshojnë vazhdimisht. Është një institucion i arsimit të sigurisë rajonal dhe ndërkombëtar i cili përpiqet për përmirësim të vazhdueshëm”, përfundoi  Smakiqi.


Në fjalën e tij Dekani i Fakultetit së Sigurisë Publike tha se ndihet i nderuar që sot në këtë ditë shumë të veçantë, të ceremonisë së   fillimit të ligjëratave  të studentëve të gjeneratës  së pestë në nivelin Bachelor,  të  ju dëshiroj suksese në punë dhe studime . 


Gjithashtu ai tha se fillimi i një rrugëtim të ri në  Fakultetin e Sigurisë Publike, është më rëndësi për të arritur nivele të reja  dhe më të larta të  njohurive akademike, shkencore dhe ngritjen profesionale .


“Te studioni  në FSP, të nderuar studentë,  nuk është  e lehtë, mbase  është  edhe një sfidë  në rrugëtimin tuaj, për të arritur nivele të reja  dhe më të larta të  njohurive akademike, shkencore dhe ngritjen profesionale, sfidë të cilën me angazhimin dhe përkrahjen e stafit mësimdhënës të FSP do e tejkaloni”, përfundoi fjalimin e tij  dekani Jashari.