Zëvendës ambasadori i OSBE-së Kilian Wahl vizitoi Akademinë
Në takim të pranishëm ishin edhe Shpresa Muharremi këshilltare Kombëtare e OSBE-së për AKSP-në, Nënkolonel Driton Zabërgja njëherit Drejtor i Drejtorisë për Trajnime Mandatore në Policinë e Kosovës, Ritva Vahakoski këshilltare Rezidente e Binjakëzimit si dhe bashkëpunëtorët e Drejtorit të Përgjithshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi gjatë takimit prezantoi disa nga objektivat dhe prioritete të cilat ka për qëllim ti realizoj gjatë këtij viti. Duke prezantuar të arriturat e Akademisë drejtori Smakiqi e informoi zv/ambasadorin Wahl për trajnimet, aktivitetet dhe punën e bërë në Akademi.
Drejtori Smakiqi falënderoi misionin e OSBE-së në Kosovë për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme dhe shumë të çmueshme për Akademinë në të gjitha fushat e zhvillimit të përgjithshëm të saj. Zëvendës ambasadori po ashtu u njoftua edhe për projektet e shumta të përkrahura nga OSBE-ja në Kosovë, projekte këto të përkrahura në forma të ndryshme siç janë donacionet e shumta, organizimi i trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike apo zbatuesve të ligjit në Kosovë, ngjarjeve të ndryshme në të mirë të komuniteteve në Kosovë, përkrahja e pa rezervë në zhvillimin e gjithmbarshëm të Akademisë, etj.
Në këtë rast drejtori Smakiqi potencoi nevojën aktuale të Akademisë për projektin e radhës bazuar në nevojat e paraqitura të institucioneve të sigurisë publike në Kosovë, e që është zhvillimi i programit studimor master (MA) në fushën e sigurisë Publike në AKSP.
Për këtë çështje, drejtori Smakiqi shtoi se nga përkrahja financiare e Ambasadës Gjermane në Kosovë, nga përkrahja e OSBE-së me ekspertin gjerman z. Klaus Welter (PhD) nga Universiteti i Policisë Gjermane nga Munster, është bërë një studim fizibiliteti me të gjitha palët e interesit vendor dhe ndërkombëtarë për programin studimor master në fushën e sigurisë publike në AKSP dhe përgjigja ka qenë “Po”. Zëvendës ambasadori Wahl u njoftua po ashtu se kjo është nevojë akute e Akademisë për të cilën presim përkrahjen e misionit të OSBE-së në Kosovë
Ndërsa zëvendës ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë Kilian Wahl, duke shprehur gatishmërinë e tij për përkrahjen të vazhdueshme tha se Akademia është një institucion mjaftë i rëndësishme në Kosovë.
Zëvendës ambasadori Wahl duke shprehur kënaqësinë për vizitën e tij në Akademi, gjatë takimit falënderoi drejtorin Smakiqi për punën që e bënë në Akademi dhe sukseset e mëdha të arritura në rrafshin kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ndër të tjerash zëvendës ambasadori Wahl shtoi se “Jam i fascinuar me arritjet e bëra në AKSP. Në kuadër të takimeve tona në misionin e OSBE-së në Kosovë, informohemi dhe kemi diskutuar për çështjet dhe nevojat e Akademisë. Shprehi kënaqësinë të ju informoj se do të jemi përkrahë ngritjes së kapaciteteve profesionale të zbatimit të ligjit në Kosovë, do të jemi përkrah Akademisë”
Më pastaj u zhvilluan prezantimet e ndryshme për AKSP-në në përgjithësi, për projektin aktual të binjakëzimit, për rolin dhe kontributin e Policisë së Kosovës në kuadër të trajnimeve dhe arsimimit në AKSP-së si dhe prezantimi mbi Fakultetin e Sigurisë Publike në AKSP.
Në fund të vizitës, u zhvillua një vizitë e shkurtër e kampusit të Akademisë.