Në Akademi mbahet punëtoria për komunitete në ngritjen e vetëdijes për tu bashkangjitur në radhët e Policisë së Kosovës

10.04.2018

Vushtrri, 10 prill 2018 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot filloi, “Punëtoria për ngritjen e vetëdijes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për tu bashkangjitur radhëve të Policisë së Kosovës”.

 

Të pranishëm në hapjen e kësaj punëtorie ishin Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Kolonele Taibe Canolli, Shpresa Muharremi  dhe Shpresa Mulliqi nga OSBE-ja si dhe zyrtarë tjerë nga institucione të sigurisë.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi në fjalën e tij tha se OSBE-ja  është partner i përhershëm i  Akademisë, e në këtë rast partner edhe për komunitete duke dhënë  kontributin në informimin, vetëdijesimin si dhe mundësin për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës.

 

Duke folur për diversitetin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në komunitetet Drejtori Smakiqi tha se Akademia është shembull në këtë aspekt.

Drejtori Smakiqi gjithashtu motivoi të rinjtë e komuniteteve që të jenë të përgatitur për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës sepse është nderë dhe krenari puna në këtë institucion kaq të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme, për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim moshe, gjinie race apo feje.

 

Duke përshëndetur të pranishmit Shpresa Muharremi tha se sot jemi këtu për të parë mundësin dhe motivimin për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës. Ajo me tej vazhdoi duke thënë se puna në Policinë e Kosovës nuk është vetëm një mundësi për punësim por është edhe punë humane në ruajtjen e sigurisë së përgjithshme. “Kjo është një mundësi e mirë që ju të kontribuoni për sigurinë jo vetëm në komunitetin e juaj, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Muharremi.

 

Ndërsa kolonelja Taibe Canolli tha se ndihet e privilegjuar që është pjesë e këtij aktiviteti i cili organizohet në Akademi me ndihmën dhe përkrahjen e OSBE-së. Më tej Canolli i informoi të pranishmit me përgatitjet e bëra nga Policia e Kosovës për gjeneratën e ardhshme.

 

Punëtoria  do të zgjas tri ditë nga dt. 10-12 prill 2018, ku do të zhvillohen tema të ndryshme lidhur me mundësin dhe vetëdijesimin e komuniteteve për te qenë pjesë e Policisë së Kosovës.