Ambasadorja e Finlandës në Kosovë vizitoi Akademinë
Vushtrri, 09 mars 2018 - Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi së bashku me Dekanin e Fakultetit të Sigurisë Bejtush Gashin dhe menaxhmentin e lartë sot priti në takim ambasadoren e shtetit të Finlandës në Prishtinë Pia Stjernvall, e cila ishte e shoqëruar edhe nga zv/ambasadorja Ritva Naumanen.
Gjatë këtij takimi drejtori Smakiqi e informoi ambasadoren lidhur me historikun e Akademisë, progresin, trajnimet të cilat zhvillohen e më theks të veçantë ai foli për projektin e binjakëzimit të Komisionit Evropian të implementuar nga Finlanda dhe Estonia, projekt i cili ndihmoi në hapjen e Fakultetit të Sigurisë.
Gjithashtu drejtori Smakiqi foli edhe për projektin e ri të binjakëzimit i cili ka për qëllim “Përkrahjen e mëtejme të arsimit në sigurinë publike në Kosovë”.
Drejtori Smakiqi me këtë rast foli edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka Akademia me institucionet e sigurisë të vendeve të ndryshme evropiane si dhe rreth anëtarësimit të Akademisë në Asociacionin Kolegjeve Policore Evropiane (AEPC) dhe Asociacionit Ndërkombëtar të Akademive Policore (INTERPA).
Drejtori Smakiqi në fund falënderoi ambasadoren Stjernvall për vizitën, njëherit ai shprehu edhe falënderimet e përzemërta që shteti i Finlandës ka dhënë për Kosovën e në veçanti për Akademinë.
Ndërsa në fjalën e saj ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall përgëzoi drejtorin Smakiqi për progresin dhe zhvillimet në Akademi.
“Keni bërë një punë të shkëlqyer në reformimin e institucionit tuaj, në trajnimin, edukimin dhe arsimimin e pjesëtarëve të sigurisë publike, ku Akademia është shembull i një edukimi superior”, u shpreh Ambasadorja Stjernvall.
Në fund Stjernvall shprehu mbështetje e pa rezerve për Akademinë edhe në të ardhmen.
Nërsa zv/ambasadorja Ritva Naumanen tha se duhet te ndjeheni krenar me reputacionin që ka krijuar Akademia në misionin e saj.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë publike pranë Akademisë Bejtush Gashi u shpreh se Akademia është institucion shume i rëndësishëm në trajnimin dhe arsimimin e lartë për pjesëtarë të sigurisë publike.
Ai falënderoi Bashkimit Evropian e në veçanti Finlandën që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm qe sot edhe të zhvillohet arsimimi i lartë në AKSP.
Në fund ata vizituan objektet përcjellëse të Akademisë, ku nga instruktorët u informuan lidhur me pjesën praktike ku zyrtarët edhe zhvillojnë trajnimet.