Një delegacion i ICITAP nga Washingtoni vizitoi Akademinë
Gjatë takimit që ato patën me Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë, Ismail Smakiqi, u njoftuan lidhur me historinë e zhvillimit, gjendjen aktuale dhe planet për të ardhmen. Drejtori Smakiqi vëri theksin kryesisht në kontributin dhe bashkëpunimin që AKSP e ka pasur ndër vite dhe vazhdon ta ketë me ICITAP-in dhe organizmat e tjerë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë këtu donacionet e ndryshme, siç janë Qyteza Simuluese, Pajisjet e Simulimit të Trajnimit me Armë Zjarri (FATS), tabelat e mençura si dhe përkrahjen e Akademisë dhe agjencive të sigurisë publike në ngritjen e kapaciteteve njerëzore përmes trajnimeve të ndryshme. Kështu, ICITAP çdo vit realizon sidomos trajnime të specializuara dhe të avancuara për agjencitë e sigurisë publike.
Njëri nga trajnimet më të njohura është “Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore” i cili në Akademi është zhvilluar pesë herë radhazi dhe në të cilin kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë policorë nga Policia e Kosovës, zyrtarë udhëheqës nga agjencitë e sigurisë publike dhe nga policitë e vendeve të regjionit. Në Akademi është zhvilluar edhe trajnimi regjional i vijës së gjelbër kufitare si dhe shumë trajnime të fushave tjera.
ICITAP po ashtu ka përkrahur themelimin e Bordit të AKSP-së dhe vazhdon të përkrah atë edhe më tutje në objektivat e tij.
Një proces shumë i rëndësishëm i cili po ndodhë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike është akreditimi ndërkombëtar i Akademisë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa zëvendës ndihmës Drejtoresha e ICITAP për Evropë, Andrea Simic tha se ndjehet e lumtur për zhvillimet e fundit në Akademi dhe u shpreh e gatshme për vazhdimin e përkrahjes së ICITAP-it për AKSP-në. Simic foli për përparësitë dalluese të sistemit të arsimit në fushën e sigurisë publike të Kosovës në krahasim me vendet tjera të regjionit të Evropës Jug-Lindore. Po ashtu të njëjtën përkrahje e theksoi edhe Emily Leival, duke u shprehur e kënaqur me zhvillimet e deritanishme dhe planet e AKSP-së për të ardhmen.
Vizita e zëvendës ndihmës Drejtoreshës së ICITAP për Evropë Andrea Simic dhe analistes së programit të ICITAP Emily Leival u zhvillua në kuadër të vizitave që këto zyrtare të larta nga selia qendrore e ICITAP-it në Washington DC të Shteteve të Bashkuara po i realizojnë nëpër institucione të sigurisë publike, me të cilat ICITAP ka bashkëpunim.