John Fisher profesor nga Universiteti Utah Valley i Shteteve të Bashkuara vizitoi Akademinë

23.02.2018Vushtrri, 22 shkurt 2018 -  Profesor  John Fisher nga Universiteti Utah Valley nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po qëndron në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  për një vizitë studimore, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i  Akademisë, Ismail Smakiqi. Po ashtu John Fisher, i cili njëherësh është edhe drejtor i Institutit të Shërbimeve të Emergjencave dhe Sigurisë së Atdheut në Departamentin e Shërbimeve të Emergjencave të Universitetit Utah Valley, në kuadër të kësaj vizite studimore u takua me stafin akademik të Fakultetit të Sigurisë Publike dhe me instruktorët e Akademisë.

Drejtori i Akademisë Ismail Smakiqi, e falënderoi profesor John Fisher për  bashkëpunim dhe njëkohësisht i ofroi përkrahje për vizitën e tij studimore. Drejtori Smakiqi falënderoi profesorin Fisher për kontributin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme që po i bënë Akademisë.
 
Ndërsa profesor Fisher gjatë këtij takim i dhuroi Akademisë gjashtë libra, të cilat kanë të bëjnë me politikat amerikane, komunikimin dhe menaxhimin e krizave, trajnimin për përgjegjësit e parë dhe sigurinë e atdheut. Më këtë rast Fisher u shpreh i gatshëm për ta përkahur Akademinë edhe më tutje.
 
Duke folur për programin për Siguri Publike të Universitetit Utah Valley, Fisher tha se  ky program ka rreth 1,500 studentë, krahasuar me numrin e përgjithshëm të studentëve në Universitet me një total prej 35,000 studentëve. "Ofrimi i programeve të Sigurisë Publike në një Akademi që është specifike për këtë lëmi është me të vërtetë interesante. Studentët njihen me kolegët e tyre të tjerë nga Kosova dhe janë në gjendje të ndajnë përvojat e tyre në arsim. Studentëve tanë u mungon kjo mundësi për ta njohur njëri-tjetrin sepse Universiteti është aq i madh”, tha Fisher.

Në kuadër të vizitës, profesor Fisher mori pjesë në tryezën shkencore "Një dekadë shtet: Sfidat e sigurisë në Kosovë", ku iu drejtua pjesëmarrësve me temën "Studim krahasues i planifikimit të komunikimit të krizave në Evropën Juglindore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Profesor Fisher gjatë takimit me  personelin mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademi diskutoi rreth qasjeve të mësimdhënies për disa nga problemet e përbashkëta. "Programet tona të sigurisë publike ofrohen ballë për ballë dhe janë online. Ne trajnojmë zjarrfikës dhe policë të rinj në klasat ballë për ballë, por japim edhe mësim online për udhëheqjen për personelin e sigurisë publike, duke përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe paramedikët, pjesërisht për shkak se punojnë me orar të plotë dhe shkojnë në shkollë me orar të pjesshëm ", tha Fisher, duke treguar ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet sistemit arsimor të AKSP-së dhe të Departamentit të Shërbimeve Emergjente të UUV.

Duke folur për bashkëpunimin me stafin mësimdhënës të Fakultetit të Sigurisë Publike të AKSP-së, profesor Fisher përmendi përfshirjen në dy projekte  të cilat janë  "Krahasimi i komunikimit të krizave në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës" me dekanin e Fakultetit të Sigurisë Publike, Bejtush Gashi, dhe "Politika e Mediave Sociale në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës" me profesor Ferid Azemin.

Fisher takoi edhe zyrtarët e Qendrës së Ushtrimeve të Integruara (QUI) nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës, të vendosur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, përkatësisht udhëheqësin Bahri Pajaziti dhe zyrtarin e lartë Iset Lahu. Tema diskutimi ishin trajnimet në fushën e zjarrfikjes, shpëtimit dhe menaxhimin e emergjencave si dhe shqyrtimi i mundësisë së adoptimit për kushtet dhe rrethanat e Kosovës për të realizuar në Akademi trajnimin e Ekipit të Komunitetit për Përgjigje Emergjente (CERT) të Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, program ky, i cili, siç tha ai, i edukon vullnetarët për gatishmërinë emergjente për rreziqet që mund të ndikojnë në hapësirat e tyre dhe i trajnon ata për shkathtësitë themelore të përgjigjes ndaj katastrofave, siç janë siguri ndaj zjarreve, kërkim shpëtimi i lehtë, organizimi i ekipit dhe operimet mjekësore në fatkeqësi.

Profesor Fisher ka vizituar edhe Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku është takuar me drejtorin  Heset Loku, dhe qendrën e re të arsimit për të mitur. “Isha i impresionuar me programet që u ofrohen shkelësve të rinj të ligjit”, tha ai. "Për shkak të arsimimit dhe këshillimit që ata e marrin, shumica e tyre kthehen në shoqëri dhe jetojnë jetë të mira dhe productive”, përfundoi profesori Fisher.