Në Akademi u mbajt tryeza me temën “Një dekadë shtet, sfidat e sigurisë në Kosovë”

21.02.2018

Vushtrri, 20 shkurt  2018 -  Në Akademinë e Kosovës për  Siguri Publike  sot u mbajt tryezë shkencore me temën  “Një dekadë shtet, sfidat e sigurisë në Kosovë”, e cila mbahet në kuadër të ngjarjeve dhe manifestimeve me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë tryezë morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Abdulselami Shkodra, Zëvendësministri në Ministrinë e Forcës së Sigurisë Burim Ramadani, Xhavit Shala dhe Besnik Shehu nga Akademia e Sigurisë së Shqipërisë, Arsim Bajrami dhe Haki Demolli profesor në Universitetin e Prishtinës, John Fisher  profesor i asociuar në Universitetin e Utah Valley, Muhaedin Bela këshilltarë nga Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë, Riza Shillova  drejtor i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Drita Pereziç Këshilltare Ekzekutiv në MBP nga ICTAP –i, dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, student, profesor, përfaqësues të agjencive të sigurisë publike si dhe stafi akademik. 

Drejtori i Akademisë së Kosovës Ismail Smakiqi tha se Kosova me dhjetë vite të pavarësisë ndodhet para sfidave të mëdha të rrugëtimit drejt një republike me stabilitet politik dhe ekonomik.

“Kosova gjatë këtyre gati nëntëmbëdhjetë viteve liri dhe dhjetë viteve pavarësi po kalon një rrugë jo të lehtë të shtet ndërtimit. Është një numër shumë i madh të arriturave të cilat kanë ndodhur gjatë këtyre viteve dhe po ashtu kanë mbetur një numër shumë i madh i obligimeve dhe objektivave, të cilat duhet të i përmbush Kosova që të konsiderohet shtet me stabilitet politik dhe ekonomik”, u shpreh Smakiqi duke thënë së njëra ndër sfidat e cila duhet të kalohet në të ardhmen është sfida e sigurisë

“Siguria publike në Kosovë është zhvilluar në hap me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Kjo për faktin se Akademia e Kosovës për Siguri Publike (në faza të ndryshme me emër të ndryshëm por gjithmonë me mision të njëjtë), që nga themelimi i saj në shtator të vitit 1999 e deri më sot, ka pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në sigurinë publike të vendit tonë, natyrisht përmes misionit të saj; trajnimi dhe arsimimi i të punësuarave në agjencitë e sigurisë publike”, u shpreh Smakiqi.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Abdulselami Shkodra   gjatë tryezës vlerësoj se  Kosova edhe përkundër sfidave ka shënuar suksese në konsolidimin e institucioneve, forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Duke folur rreth njohjeve të shtetit të Kosovës dhe qëllimit të saj  rreth integrimit në Unionin Evropian zëvendësministri Shkodra tha se politikat e sigurisë në Kosovë janë në harmonizim  më politikat evropiane.   “Në këtë aspekt jemi të vendosur në anëtarësimin në INTERPOL  dhe mekanizmi tjera ndërkombëtarë të sigurisë”, u shpreh Shkodra

Shkodra vlerësoj se siguria publike matet  me aftësinë e agjencive dhe siç tha ai misionet e tyre janë shumë të rëndësishme.

Duke u shprehur i kënaqur me punën e agjenci neve  Shkodra vlerësoj se sfida e sigurisë nuk  mund të jetë sfidë lokale, apo  sfidë vetën e një shteti. 

“Zhvillimet strategjike në përballje me sfidat e sigurisë konsideroi se janë mjaft të komplikuara dhe vendimet politike për përballje me sfidën e sigurisë duhet të bazohen në analizat e departamenteve të cilat kanë fushëveprim përpunimin e të dhënave nga fusha e sigurisë si dhe mbi studimet dhe hulumtimet e mirëfillta shkencore të Instituteve të Studimeve të Sigurisë”, tha Shkodra duke thënë se misioni i Akademisë në trajnimin dhe arsimimin e zyrtarëve të zbatimit të ligjit, zhvillohet me programe bashkëkohorë të akredituara nga agjencitë profesionale dhe të pavarura të akreditimit.  “Krimet me të cilat përballen institucionet e rendit, pothuajse janë të vazhdueshme; krimi i organizuar, korrupsioni, trafikimet e ndryshme, pastaj ekstremizmi i dhunshëm, kërcënimi nga terrorizmi, krimet kibernetike dhe krime tjera të njohura për opinionin”, u shpreh ai duke thënë se sfidat e sigurisë kanë të bëjnë me luftimin  e këtyre dukurive.

Kurse, Burim Ramadani Zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë tha se pjesë më e rëndësishme për Kosovën në këtë dhjet vjetor mbetet fokusimi në konsolidimin, avancimi dhe profesionalizmin  e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

“Nuk ka dilema që pjesa më e rëndësishme e krejt tregimit për Kosovën në këtë dhjet vjetor të shpalljes  së pavarësisë mbetet fokusimi ynë konsolidimin dhe përmbylljen e arkitekturës  sigurisë nacionale, rrumbullakim të kornizës strategjike të sigurisë, vazhdimin ose avancimin e profesionalizmit të institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit”, u shpreh Ramdani.

Ramadani duke folur për rëndësinë  e sigurisë brenda dhe jashtë vendi tha se nuk mund të ketë siguri pa bashkëpunim.

“Bashkëpunim  ndërshtetëror  në fushën e sigurisë, mbrojtjes  dhe të politikes së jashtme është  shumë i rëndësishëm dhe besoj që Kosova ka treguar gatishmërinë e saj për të arritur bashkëpunim  ndërshtetëror” , u shpreh Ramadani

Ai vlerësoj se është më rëndësi që Kosova të përfshihet në programin e partneritetit për paqe në bazë të fushave të specializuara ushtarake që ka Kosova dhe ndërkohë po ashtu të ftohemi për të iu bashkuar misioneve paqeruajtëse nëpër kriza të ndryshme në botë.

Kurse, Arsim Bajrami profesor  në Universitetin e Prishtinës  i cili përgëzoj Akademinë për të arriturat e saj, gjatë tryezës ka folur për rrugëtimin dhe sfidat që ka pas Kosova deri në shpalljen e pavarësisë si dhe për sfidat që e presin në ndërtimin e shtetit.

Profesor Bajrami tha se edhe përkundër sfida pavarësia e Kosovë është punë e kryer, ndërsa sipas tij punë e pa kryer është shtet ndërtimi.
Ai tha se shtet ndërtimi i ka tri sfida kryesor, sfida e parë siç tha ai është shtrirja e juridiksionit të Kosovës, kushtetutës dhe legjislacionit në veri të Kosovës. 
“Për mua sfida e parë e shtet ndërtimit të Republikës së Kosovës është shtrirja e plotë e juridiksionit në gjithë territorin e Kosovës”, u shpreh Bajrami. Problemi i dytë Bajrami e ka cilësuar edhe formimin e ushtrisë duke thënë se ky proces është duke u vonuar padrejtësisht, ndërsa problemi i tretë më të cilën është ballafaquar shteti sipas tij është kriza politike.
Po ashtu profesor Bajrami ka përmendur tri sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen siç janë; luftimi i dukurive negative, krimi, korrupsioni,  krimi i organizuar etj.   “Sundimi i ligjit mbetet sfidë kryesor e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai duke  thënë se sfidat tjera janë qeverisja e mirë  dhe integrimet në BE dhe NATO.

John Fisher  profesor i asociuar në Universitetin e Utah Valley gjatë prezantimit të tij rreth çështjes së sigurisë përgëzoj Akademinë që përmes shkollimit të zbatuesve të  ligjit po ofron një siguri të mirë për vendin. Fisher foli për llojet e kërcënimeve që shkaktojnë mos siguri.

Fisher foli edhe për cilësitë që rimëkëmbin shoqërinë siç janë; shoqëria reflektove, shkathtësi për të njohur,  fuqi e cila duhet të menaxhohet siguria në situata të ndryshme  si janë zjarret, tërmetet etj.

Para të pranishmëve foli  edhe Prof. dr. Xhavit Shala nga Akademia e Sigurisë të Tiranës, në temën “Shtet ndërtimi i suksesshëm dhe qeverisja e mire përballë kërcënimeve serbo-ruse për dështimin e shtetit të Kosovës”.  Profesor Shala tha për pretendimet e rrezikshme serbo-ruse për ta shpallë Pavarësinë e Kosovës si një shtete të dështuar.
“Kosova në procesin e shtet formimit dhe të shtete ndërtimit mundë ta konsiderojmë si pjesë e misionit dhe përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për të realizuar vizionin e tyre për të pasur shtetin përkrah botës së qytetëruar” tha Profesor Shala.

Ai me tej shtoi se Kosova ka krijuar institucionet themelore të një shteti të pavarur dhe sovran, institucione të legjitimuara politikisht nëpërmjet një procesi zgjedhjesh të ndershme të qeta e të lira.
Duke folur për sigurinë ai shtoi se  siguria e Kosovës është një proces i përbashkët i KFOR-it dhe institucioneve kosovare të sigurisë. “KFOR-i ka përgjegjësinë e drejtpërdrejt ta mbrojë Kosovën nga kërcënimet e jashtme, ndërsa garantimin e sigurisë së brendshme tashmë pothuajse i ka kaluar institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Në funde Shala tha se në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë procesi i shtet ndërtimit në Kosovë ka arritur ti përmbushë funksionet thelbësore të mbijetesës në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit, sigurimit të ardhurave, legjitimitetit politik, dhe ka bërë përparime të dukshme në përmbushjen e nivelit të pritur të funksionalitetit të shtetit .

Profesori Haki Demoli foli për temën “Dukuria e terrorizmit si sfidë për sigurinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës”, për rreziqet e kësaj dukuri jo vetëm në Kosovë, por në mbarë globin.

Po ashtu Demolli përshkruajti edhe gjendjen në të cilën gjendet Kosova sa i përket situatës së sigurisë në vend.

“Terrorizmi konsiderohet njëri ndër problemet më serioze jo vetëm për shtet, jo vetëm për sigurinë ndërkombëtare, por edhe për jetën e njerëzve në tërë botë”, u shpreh Demolli duke përmendur që viteve të fundit sulmet terroriste nëpër botë janë rritur krahasime me vitet paraprake.  Demolli vlerësoj se masat të cilat i ka marr qeveria e Kosovës në luftimin kundër terrorizmit janë  legjislacioni, ndërtimi i mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, planifikimi për parandalimin e terrorizmit dhe aktivitet konkrete për parandalimin e terrorizmit.

Gjatë kësaj tryeze foli edhe drejtori i Departamentit të Hetimeve i Policisë së Kosovës Riza Shillova i cili tha se përvjetori i dhjetë i Republikës së Kosovës është i lidhur edhe me progresin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, si dhe sfidat e ndryshme të cilat janë përballur gjatë periudhave të ndryshme kohore.
Duke folur për sfidat e Policisë së Kosovës ai shtoi se pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës rezultati i angazhimit të policisë gjatë kësaj periudhe ka qen i vlerësuar mjaftë lartë, ku është  arritur të  mbahet situatë e sigurisë e qetë duke eliminuar provokimet e ndryshme veçanërisht në veri të Kosovës dhe zonën kufitare.
Gjithashtu Shillova foli për sfidat dhe angazhimet të cilat i kanë përcjellë Policinë e Kosovës si në aspektin ligjor, organizativ, aspektin e politikave publike , nacionale, teknik, aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtarë etj.
“Policia e Kosovës krahas sfidave apo bashkë me sfidat është rrit e është zhvilluar dhe është ngritur profesionalisht për të marrë mbi vete përgjegjësitë që i takojnë  duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Shillova.

Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Bejtush Gashi tha se bota në asnjë rast nuk ka qenë e sigurt për shtete të vogla, sepse historia ka dëshmuar se fuqitë e mëdha e kanë shumë të lehtë të manipulojnë me këto shtete si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ana ushtarake. “Përderisa një shtet i vogël nuk është në gjendje të përballojë një konflikt me forcat e veta, rruga e vetme mbetet lufta diplomatike për të shmangur ose ulur rrezikun e konfliktit”, tha Gashi. Një nder mënyrat për ta evituar pasigurinë për shtetet e vogla siç tha Gashi është asocimi i tyre në institucionet ndërkombëtare dhe partneriteti diplomatik me shtetet me te fuqishme. “Për shtetet e vogla të Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës, ekziston vetëm një zgjedhje strategjike, e ajo është “integrimi euro-atlantik”, u shpreh Gashi.

Gjithashtu dekani Gashi shtoi se politika e bashkëpunimit dhe integrimi në institucionet ndërkombëtare të sigurisë, me theks të veçantë integrimi në NATO, si mjet për arritjen e stabilitetit në vend dhe rajon,  përbën objektivin dhe zgjidhjen strategjike themelore për sigurinë e Kosovës dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Duke folur për sfidat e sigurisë dekani Gashi tha se janë të shumta, ku disa prej tyre kanë ndikim të drejtpërdrejt ndaj sigurisë, kurse të tjerat kanë ndikim të tërthortë. 
Në fund dekani i Fakultetit të Sigurisë Bejtush Gashi dha disa kolaudime rreth çështjes së sigurisë se; Mjedisi i sigurisë është vazhdimisht i ndryshueshëm si pasoj e ndryshimeve politike; shtetet e vogla siç është Republika e Kosovës për të siguruar paqen dhe stabilitetin, duhet të përdorin strategjinë e ndarjes dhe balancimit të pushteteve shtetëror, shteti duhet të investojë më shumë në luftën kundër korrupsionit, trafikimit ilegal, krimit të organizuar dhe terrorizmit, infrastruktura ligjore në fushën e sigurisë duhet të plotësohet dhe të jetë kompatibile më infrastrukturën ligjorë të vendeve anëtare të BE-së, sidomos nën aktet ligjore.

“Sa i përket sigurisë në nivel shtetëror, konsideroj që diplomacia është mjeti më i sigurt për ti përballuar kërcënimet e jashtme. Për derisa një shtet nuk është në gjendje të përballojë një konflikt me forcat e veta, rruga e vetme mbetet lufta diplomatike për të shmangur ose ulur rrezikun e konfliktit”, përfundoi Gashi.

Takimin e përshëndeti kolonel Muhaedin Bela, Këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë, i cili theksoi rëndësinë e integrimit të Maqedonisë dhe Kosovës në NATO si dhe ofroi mundësinë për realizimin e trajnimeve të programit të Ekipit të Komunitetit të Përgjigjes Emergjente (CERT) nga Universiteti Utah Valley, sponsorizuar nga Agjencia Federale e Menaxhimit Emergjent (FEMA) e Shteteve të Bashkuara.