Në Akademi po mbahet ushtrimi “Reagimi i përbashkët 2018”
Vushtrri, 13 shkurt 2018 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) filloi ushtrimi “Reagimi i përbashkët 2018”, i organizuar nga Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME) në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Gardën e Ajoves si dhe Agjencinë Federal të Menaxhimit Emergjent nga Amerika. Të pranishmit vlerësuan se mbajtja e ketij ushtrimi i cili ka për qëllim se si të reagohet në situata krizash është shumë i rëndësishëm për vendin tonë.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Isa Xhemajlaj duke përshëndetur të pranishmit, falënderoj të gjitha agjensionet e posaçërisht Ambasadën Amerikane që në vazhdimësi po e përkrah Kosovën në të gjitha fushat, konkretisht në fushën e sigurisë.
Zëvendësministri Xhemajlaj vlerësoi se ushtrimi ku do të promovohen format e reagimit në raste fatkeqësie është i domosdoshëm. “Pa dyshim që sfidat janë në gjithë botën dhe nuk bëjmë përjashtim as Kosovën dhe ky ushtrim do t’ju mundësojë formën e cila duhet të përdoret në rastet e fatkeqësive”, u shpreh Xhemajlaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent Fadil Kodra, foli për rëndësinë e këtij trajnimi që ka për qëllimi gjetjen e formës së reagimit në raste emergjente. Kodra vlerësoi se ky ushtrim është shumë i rëndësishme për gjitha institucionet e vendit e po ashtu edhe për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.
Ndërsa, Ismail Smakiqi Drejtor i Përgjithshëm në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), duke e vlerësuar ushtrimin si të rëndësishëm për vendin, tha se Akademia si gjithherë ka qenë dhe është e gatshme të ofrojë kushtet për trajnimin e gjithë zbatuesve të ligjit.
“Çfarë do lloj trajnimi që është në të mirën e vendit, Akademia është e gatshme që ta përkrah”, u shpreh Smakiqi.
Michael J Ganley shef i operacionit dhe gatishmërisë mbështetëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tha se qëllimi i tyre është që përmes këtij ushtrimi ta ndihmojnë Kosovën në përgatitjen se si të gjindet në situata krizash.
“Ne kemi menduar që të përqendrohemi më shumë në ndihmën e shtetit të Kosovës në ato fusha ku ka mangësi dhe përmes këtij ushtrimeve t’i përmiresojmë. Ne jemi këtu në rolin e lehtësuesve. Arsyeja e këtij ushtrimi, të këtij niveli kaq të mëdha, është që të përpilohet një planë i cili do të zhvillohet dhe me pas të ekzekutohet ku përmes tij të shihen ato mangësi që duhet të përmirësohen”, u shpreh Ganley.
Drejtori i Departamentit për Gatishmëri në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent Hajriz Sejdiu tha se qëllimi i këtij ushtrimi në tavolinë është që të testohen planet, politikat dhe procedurat se si qeveria, Republika e Kosovës të menaxhojë fatkeqësitë dhe të mbrohet nga to.
“Gjatë këtij ushtrimi ne do t’i testojmë mundësitë, planifikimin, kapacitetet tona dhe mënyrën se si Republika e Kosovës do të menaxhojë çdo lloj fatkeqësie që mund ta godas vendin tonë. Ne do të bëjmë analizë ku do të nxirren mangësitë, dobësitë ku i kemi dhe këto do t’i shndërrojmë në rekomandime në mënyrë që aty ku kemi mangësi t’i përmirësojmë që në të ardhmen të jemi më të fuqishëm për të menaxhuar situata të tilla”, tha Hajrizi.
Ndryshe ushtrimi “Reagimi i përbashkët 2018”, ku janë duke marrë pjesë të gjitha institucionet e Kosovës do të zgjatë katër ditë.