Një delegacion i Akademisë së Sigurisë nga Shqipëria vizitoi AKSP-në
Vushtrri, 17 janar 2018 – Një delegacion i Akademisë së Sigurisë në Shqipëri i kryesuar nga Artan Shkëmbi drejtor i Departamentit të Planizimit, Kontrollit në këtë Akademi po qëndron për një vizitë zyrtare dy ditore në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP). Delegacioni u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Bejtush Gashi dhe menaxhmenti i lartë.
Qëllim i kësaj vizite nga delegacioni në fjalë është njohja me modelin e arsimit në fushën e Sigurisë në Fakultetin e Sigurisë në Akademi si dhe bisedimet rreth reformave dhe synimeve për të ardhmen.
Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, e njoftoi delegacionin për zhvillimet dhe për proceset të rëndësishme të Akademisë, për funksionimin e Fakultetit të Sigurisë, projektin e binjakëzimit IPA II- të financuar nga Bashkimi Evropian.
Gjithashtu drejtori Smakiqi foli edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në mes dy Akademive të sigurisë, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike.
Smakiqi duke e njoftuar delegacionin për bashkëpunimin ndërkombëtarë që ka Akademia, u shpreh se shkëmbimi i përvojave mes dy akademive është i domosdoshëm dhe i mirëseardhur.
“Bashkëpunimi jonë me Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë është dhe do të vazhdojë edhe tutje”, u shpreh Smakiqi.
Ndërsa delegacioni nga Akademia e Sigurisë së Shqipërisë gjatë vizitës u interesuan kryesisht rreth metodave që ka Akademia për trajnimin dhe arsimimin e pjesëtarëve të sigurisë publike. Artan Shkëmbi drejtor i Departamentit të Planizimit, Kontrollit në këtë Akademi duke shprehur kënaqësinë e tij për vizitën, vlerësoi se Akademia e Kosovës është një shembull i mirë për arsimimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të sigurisë.
“Jemi në një fazë të reformimit dhe për këtë kemi zgjedhur Akademinë tuaj të marrim eksperiencë. Ju keni një akademi të formuar me standarde evropiane dhe shkëmbimi i përvojave është shumë i rëndësishëm”, ka thënë Shkëmbi.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Bejtush Gashi gjatë takimit i njoftoi përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë nga Shqipëria për programin e studimeve në Fakultet.
Po ashtu Gashi foli edhe për gatishmërinë e bashkëpunimit mes mësimdhënësve dhe studentëve . Ai tha se bashkëpunimi i ndërsjellë është më se i domosdoshëm për promovimin e vlerave akademike dhe profesionale.