Kryetari Tahiri vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

15.01.2018

Vushtrri, 15 janar 2018 –  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) Ismail Smakiqi, priti sot në takim Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri  i cili ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari Besim Muzaqi.  Qëllimi i vizitës së kryetarit Tahiri ishte që të njihet me për se afërmi me punën dhe aktivitetet që zhvillohen në Akademi.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi e falënderoi kryetarin Tahiri  për vizitën dhe njëherësh e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme.

Më këtë rast drejtori Smakiqi  njoftoi Kryetarin Tahiri për veprimtarinë e Akademisë  që nga themelimi e deri më sot.

Delegacioni i komunës së Vushtrrisë u njoftua edhe për zhvillimet e fundit në Akademi, siç janë trajnimet dhe aktivitetet tjera që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë.

Drejtori Smakiqi foli edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka Akademia e Kosovës për Siguri Publike me shumë vende të Evropës.

“Akademia ka  bashkëpunim me institucione arsimore dhe të trajnimeve nga fushat e sigurisë publike, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare, duke qenë anëtare në asociacione dhe organizata ndërkombëtare në fushën e arsimit në siguri publike”, u shpreh  Smakiqi.  Akademia pritet që brenda këtij viti të fitoi akreditim ndërkombëtarë,  konkretisht nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse kryetari i Komunës së Vushtrrisë  Xhafer Tahiri  duke u shprehur i kënaqur më vizitën e tij në Akademi, duke vlerësuar se Akademia është  një institucione mjaftë i rëndësishëm për vendin. 

“Qëllimi i vizitës është që të njihemi më për se afërmi dhe të diskutojmë për  mundësinë e bashkëpunimit mes Akademisë për Siguri Publike dhe  Komunës së Vushtrrisë”, tha Tahiri duke u shprehur i gatshëm që të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm më Akademinë.

“Ju falënderojë për pritjen, jam me fat që udhëhoqi një komunë e cila ka një institucion kaq të rëndësishëm për vendin, siç është  Akademia e Kosovës për Siguri Publike”, u shpreh Tahiri.

Kryetari Tahiri vizitoi kampusin e Akademisë, kurse instruktorët e Akademisë i prezantuan delegacionit nga Komuna e Vushtrrisë Pajisjen e Simulimit me Armë të Zjarrit, donacion i ICITAP-it nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.