Akademia e Kosovës për Siguri Publike nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Fakultetin e Sigurisë në Shkup
Maqedoni, 27 nëntor 2017 - Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Fakultetin e Sigurisë të Universitetit “St. Kliment Ohridski” Manastir në Shkup, qëllimi i së cilës është themelimi i bashkëpunimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm në mes të dy institucioneve për të përkrahur objektivat e tyre strategjike në fushat e arsimit të lartë; shkëmbimin (mobilitetin) e studentëve, mësimdhënësve dhe stafit në kuadër të programit të BE-së, Erasmus+, si dhe Hulumtimit dhe Zhvillimit.
Në praninë e mediave elektronike dhe të shkruar nga Maqedonia dhe Kosova, nënshkrimi i marrëveshjes u bë në mes të Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së Ismail Smakiqi dhe Dekanit të Fakultetit të Sigurisë i Universitetit “St. Kliment Ohridski” Manastir, prof. dr. Nikola Dujovski. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes të pranishëm ishin edhe shkëlqesia e tij, ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa, dekani i Fakultetit të Sigurisë të AKSP-së Prof.Ass. Dr. Bejtush Gashi, Udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë Avni Istrefi, ndihmës ministri për Trajnim të Policisë së Maqedonisë Goce Bačanov, zëvendës rektorja Svetlana Nikolovska dhe zëvendës dekanja për financa Snežana Mojsoska.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë i Universitetit “St. Kliment Ohridski” Nikola Dujovski e vlerësoi shumë të rëndësishem nënshkrimin e kësaj marrëveshje në frymën shumë të mirë miqësore në mes të dy institucioneve, përkushtimit të përbashkët drejt realizimit të qëllimeve dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale. Marrëveshja përfshinë bashkëpunimin në fusha të ndryshme duke përfshirë mundësitë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në hulumtim, në kuadër të programit të shkëmbimit Erasmus+, etj.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi theksoi se të dyja institucionet janë pjesë e asociacioneve të ndryshme ndërkombëtare të sigurisë ku siç tha ai këto dy institucionet kanë bashkëpunim shumë të ngushtë. “Fakulteti i Sigurisë në Shkup sivjet feston 40 vjetorin e saj të themelimit dhe më këtë rast i uroj dekanit për përvjetorin e tyre dhe për një të arritur kaq të madhe”, u shpreh Smakiqi duke thënë se marrëveshja njëherit do të jetë një shtyse drejt realizimit të qëllimeve dhe interesave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe hulumtimit në siguri publike.
Në nënshkrimin e marrëveshjes të pranishmit i përshëndeti edhe shkëlqesia e tij ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa, i cili duke uruar Fakultetin e Sigurisë në Shkup për jubileun e katërdhjetë, u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dy institucioneve. “Kjo marrëveshje shpreh gatishmërinë e institucioneve tona për integrimet evropiane si dhe bashkëpunimin në fushat e arsimimit të zbatueseve të ligjit”, u shpreh ambasadori Hysa.
Në këtë ceremoni të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit fjalë përshëndetëse mbajtën edhe zëvendës rektorja e Universitetit “St. Kliment Ohridski” Manastir të Shkupit Svetlana Nikolovska dhe ndihmës ministri për trajnim të Policisë së Maqedonisë Goce Bačanov.