Kongresmeni amerikan Eliot Engel vizitoi Akademinë
Vushtrri, 21 nëntor 2017 - Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot e vizitoi Kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili u prit nga Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik dhe Çështje Ligjore Shpend Shabani, Drejtori Departamentit për Trajnime dhe Përkrahje Arsimore Kastriot Jashari, Drejtori i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme Rrahim Rexha, n/kolonel Driton Zabërgja si dhe menaxhmenti i lartë i Akademisë.
Drejtori Shabani fillimisht përshëndeti Kongresmenin amerikan Eliot Engel në emër të Drejtorit të Përgjithshëm Ismail Smakiqi, i cili gjendet jashtë vendit, në emër të dhe gjithë stafit të Akademisë.
“Ne si Akademi jemi të privilegjuar që sot në mesin tonë ta kemi mikun tonë të madh të Kosovës, që me kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndikuat në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, u shpreh Shabani.
Ai tha se është kënaqësi qe sot para juve ta prezantojmë një institucion të rëndësishëm për sigurinë publike, siç është Akademia, e cila është përgjegjëse për ofrimin e trajnimeve dhe arsimit për zyrtarët e Agjencive të Sigurisë Publike në Republikën e Kosovës.
Për të arritur nivelin në të cilin gjendet Akademia sot ka kaluar nëpër disa etapa të ndërtimit dhe zhvillimit institucional, u shpreh drejtori Shabani, duke shtuar se zhvillimi i Akademisë është një sukses shumë i rëndësishëm i ndërtimit të institucioneve të sigurisë në Kosovë dhe ky zhvillim është arritur falë përkrahjes së vazhdueshme të SHBA-së nëpërmes Ambasadës së saj, ICITAP, INL dhe mekanizmave tjerë të pranishëm në Kosovë.
Në fund Drejtori Shabani kërkoi që ky kontribut të vazhdohet edhe më tutje, sepse Akademia ka nevojë për mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së, ICITAP-it, INL dhe mekanizmave tjerë të pranishëm në Kosovë.
Ndërsa Drejtori i Trajnimeve dhe Përkrahjes Arsimore Kastriot Jashari, duke i përshëndetur të pranishmit, i informoi ata me kontributin dhe donacionet amerikane në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
“I nderuar Kongresmen Eliot Engel, më lejoni të ju falënderoj për kontributin e SHBA-së, Ambasadës Amerikane në Kosovë, ICITAP dhe INL në kuadër të fushës së sigurisë publike, qofshin ato trajnime, donacione apo udhëzime, gjithnjë si njëra ndër themelueset e AKSP-së, ka treguar një afinitet dhe një ndihmesë, pa të cilën lirisht mund të thuhet se nuk do të ishte e mundur të arrihen rezultatet që gëzojmë sot”, tha Jashari.
Në fund të takimit, delegacioni nga instruktorët u informuan lidhur me pjesën praktike ku pjesëtarët e sigurisë publike zhvillojnë trajnimet. U demonstruan edhe skenarët nga sistemi FATS, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.