Në Akademi përfundoi trajnimi “Kursi i nivelit të lartë të menaxhimit”
Vushtrri, 20 tetor 2017 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot përfundoi trajnimi “Kursi i nivelit të lartë të menaxhimit” të cilin e përfunduan me sukses tridhjetë e dy zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilët nga sot do ta marrin gradën e majorit.
Në ceremoninë e çertifikimit morën pjesë, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, Driton Zabergja nënkolonel në Policinë e Kosovës dhe kapiteni Shaban Paqarada. Kursi i cili është mbajtur tri javë rresht në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, nga të pranishmit, e po ashtu edhe nga pjesëmarrësit u vlerësua si shumë i rëndësishëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, fillimisht i përshëndeti të pranishmit dhe iu uroi suksese në punën e tyre zyrtarëve policorë të cilët ishin pjesëmarrës në këtë kurs.
Smakiqi tha se Akademia do të vazhdoi të përkrah të gjitha trajnimet të cilat kanë një rëndësi tepër të madhe për sigurinë e qytetarëve.
“Akademia do të jetë e hapur për të gjithë zyrtarët e sigurisë publike duke iu ofruar trajnime dhe arsim të lartë”, tha Smakiqi duke i inkurajuar zyrtarët policor për punën dhe përkushtimin që janë duke treguar në punën e tyre.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Driton Zabërgja nënkolonel në Policinë e Kosovës. Zabërgja të sapo graduarve me gradën e majorit iu uroj suksese në punën e tyre.
“Uroi që të jeni shembull i mirë për kolegët dhe për të gjithë qytetarët e vendit”, tha Zabërgja.
Në fund u ndanë certifikata për vijuesit e trajnimit.