U mbajt takimi i radhës i Bordit të Akademisë

19.09.2017

Vushtrri, 18 shtator 2017 – Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  (AKSP),  sot u mbajt takimi i radhës i bordit ku u diskutua për  rrjedhat e fundit në Akademi siç janë pranimi i studentëve për vitin akademik 2017/2018, akreditimi, raporti i gjashtë mujorit të fundit etj.

Në takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës Bajram Bujupi i cili një herit është edhe kryesues i Bordit të Akademisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës  Shpend Maxhumi, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës Hilmi Mehmeti, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës Bahri Berisha,  ushtrues detyre i  Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogaj,  Drejtor i Përgjithshëm  i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent Fadil Kodra,  Tracy Whittington drejtoreshë për Kosovë e Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Drejtori i Kolegjit Universitarë Policor (POLAMK) në Finlandë njëherit ekspertë afat shkurt i projektit të binjakëzimit Kimo Himberg,  Këshilltarja e Lartë e ICITAP-it Drita Pereziç, Këshilltarja  Rezidente e Projektit të Binjakëzimit Ritva Vähäkoski si dhe  Këshilltarja e Lart e OSBE-së Shpresa  Muharremi.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, gjatë takimit duke diskutuar për çështjet që lidhen më trajnimet  dhe arsim të lartë, ka raportuar edhe për punën gjashtë mujore të Akademisë.

Drejtori Smakiqi gjatë këtij prezantimi si të arritura kryesore për këtë periudhë veçoi, miratimin e planit vjetor të punës së AKSP-së për vitin 2017, nënshkrimin e marrëveshjes se punës  mes Akademisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe CEPOL-it, rishikimin e programit studimor, aplikimin për ri akreditim të programit studimor dhe atë institucional, hartimin e korrikulave për trajnimet profesionale për të gjitha agjencit e sigurisë publike dhe miratimin e tyre nga ana e bordit të AKSP-së, realizimin e tetëdhjetë e tetë trajnimeve me gjithsej 1426 zyrtar të ISP-ve , pjesëmarrjen e  Akademisë në konferenca ndërkombëtare siç janë ajo e Këshillit të përgjithshëm INTERPA ,  ajo e Asociacionit Ndërkombëtarë të Drejtorëve dhe Trajnimit në Zbatimin e Ligjit (IADLEST) etj. Po ashtu drejtori Smakiqi  si të arritur e ka paraqit edhe pranimin e Akademisë në Asociacionin e Kolegjeve Evropiane të Shërbimit të Zjarrëfikjes EFSCA, donacioni nga ICITAPI i cili është Pajisja e trajnimit të simulimit të armëve të zjarrit (FATS) etj.  

Drejtori  Smakiqi tha se njëra ndër të arriturat është edhe akreditimi i institucionit të Akademisë për periudhën pesë vjeçare.

Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi  gjatë takimit të bordit ka raportuar për zhvillimin e konkursit për pranimin e studentëve në programin bachelor të studimeve për vitin akademik 2017 /18.
 

Duke  cilësuar se procesi i pranimit  të studentëve  ka ecur mirë, dekani Gashi ka  raportuar për numrin e studentëve të pranuar në secilin  drejtim të Fakultetit të Sigurisë Publike, si janë  drejtimi policor, doganor, menaxhimi emergjent si dhe korrektues dhe sprovues. 

Kurse Tracy Whittington  drejtoreshë për Kosovë e Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit,  gjatë takimit shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin me Akademinë.

Drejtori i Kolegjit Universitarë Policor (POLAMK) në Finlandë njëherit ekspertë afat shkurt i projektit të binjakëzimit Kimo Himberg, tha se  projekti i binjakëzimit është në rrugë të drejtë. 

“Jam i lumtur që shoh zhvillimin e vazhdueshëm të Akademisë drejt arritjes së  synimeve të saj”, tha Himberg.

Himberg falënderoi anëtarët e Bordit të Akademisë për punën dhe bashkëpunimin e ndërsjellët.