Akademia e Kosovës për Siguri Publike pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës Bajram Rexhepi, ngushëllon familjen Rexhepi

22.08.2017

Vushtrri, 22 gusht 2017 -  E nderuara familja Rexhepi,
Me pikëllim të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të Ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe ish ministrit të  Punëve të Brendshme  Dr. Bajram Rexhepi.

Doktor Bajrami gjatë gjithë jetës i shërbeu atdheut dhe qytetarëve të saj. Doktor Bajrami para së gjithash në kujtesën e qytetarëve do të mbetet mjek i devotshëm dhe veprimtar i paepur i çështjes kombëtare.

Doktor Bajrami ishte kryeministri i parë i  Qeverisë së Kosovës së lirë, duke vënë themelet e shtet ndërtimit, kurse në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme përveç tjerash kontribuoi në themelimin dhe zhvillimin e Institucioneve të Sigurisë Publike.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike përjetësisht do të  jetë mirënjohëse ministrit Rexhepi i cili  gjatë mandatit të tij vuri themelet e  Akademisë moderne për trajnimin dhe arsimimin e lartë  për zbatuesit e ligjit në Republikën e  Kosovës.

E nderuara familja Rexhepi.

Në emër të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe në emrin tim pranoni ngushëllimet më të sinqerta, për shkuarjen nga kjo jetë të Doktor Bajramit.

Me respekt
Ismail Smakiqi
Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike