Ambasadori Delawie vizitoi Akademinë

25.07.2017

Vushtrri, 24 korrik 2017 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, vizitoi sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Bejtush Gashi si dhe Drejtorët e Departamenteve të AKSP-së: Rrahim Rexha, Kastriot Jashari dhe Shpend Shabani.

Qëllimi i vizitës së Ambasadorit Delawie ishte që të njihet nga afër me historikun, zhvillimet, misionin, vizionin dhe strukturën e Akademisë.

Drejtori Smakiqi falënderoi Ambasadorin Delawie për vizitën dhe përkrahjen e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të institucioneve amerikane, në radhë të parë ICITAP-it, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të Akademisë. Gjatë këtyre viteve, Akademia, gjegjësisht agjencitë e sigurisë publike, u përkrahën në fushën e trajnimeve dhe pajisjeve të ndryshme teknike.

Në fushën e trajnimeve, drejtori Smakiqi veçoi trajnimin dhjetëjavor “Shkolla e Stafit dhe Komandës Policore”, i cili zhvillohet nga Qendra për Siguri Publike e Universitetit Northwestern. “Ky trajnim në Akademi është mbajtur pesë vite me radhë dhe ka pasur karakter regjional duke përfshirë oficerët policorë nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova. Ky trajnim po ashtu ka rritur reputacionin e Akademisë në përmasa regjionale dhe ndërkombëtare”, tha Smakiqi.

Drejtori Smakiqi më tutje vazhdoi se në fushën e donacioneve, përkatësisht pajisjeve teknike dhe të tjera, gjatë këtyre viteve Akademia ka përfituar shumë, siç është pajisja e Trajnimit të Simulimit me Armë Zjarri (FATS) që shërben për trajnimin e zyrtarëve të sigurisë publike të Kosovës. “Kjo pajisje ju dhurua Akademisë nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) e Departamentit të Shteteve të Bashkuara në muajin qershor të këtij viti dhe është e vetmja në Kosovë dhe në vendet e regjionit”, u shpreh Smakiqi.

Gjatë këtyre viteve Akademia është përkrahur me këshilltarë të lartë, zyrtarë të ICITAP-it, ekspertë të fushave të sigurisë publike, policore, legjislacionit dhe trajnimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, njoftoi Ambasadorin Delawie për të gjitha aktivitetet që zhvillohen në Akademi si dhe për synimet e saj në të ardhmen. Ajo që e veçon Akademinë, u shpreh Smakiqi, është niveli i lartë i profesionalizmit të personelit të Akademisë, puna ekipore dhe respektimi i vlerave të proklamuara të saj, siç janë ndershmëria, transparenca, llogaridhënia dhe etika profesionale.

Gjithashtu drejtori Smakiqi gjatë këtij takimi e informoi ambasadorin Delawie edhe për procese të rëndësishme të Akademisë, siç janë hapja e Fakultetit të Sigurisë Publike dhe ri-akreditimi i programit studimor të këtij fakulteti si dhe validimin e programeve profesionale bazike në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve.

Po ashtu ambasadori Delawie u informua edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka Akademia me akademitë policore evropiane dhe më gjerë si dhe për anëtarësimet në asociacione të ndryshme, e në veçanti për nënshkrimin e Marrëveshjes së Punës me CEPOL-in si dhe për Projektin e Binjakëzimit të financuar nga BE-ja

Ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie u shpreh i kënaqur me vizitën e tij në Akademi. “Kam kënaqësinë që për të tretën herë e vizitoj Akademinë tuaj, ju faleminderit për të gjitha që bëni për sigurinë publike në vendin tuaj”, tha Delawie. Ai përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të AKSP-së për bashkëpunimin ndërkombëtar, e në veçanti për nënshkrimin e Marrëveshjes së Punës me CEPOL.

Në vazhdim duke vlerësuar Akademinë, ambasadori Delawie tha: “Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm në rajon, ndër të tjera, falë ofrimit të trajnimeve që bën Akademia e juaj”.

Gjatë vizitës, ambasadori Delawie u interesua edhe për progresin e arritur në akreditimin ndërkombëtar të Akademisë përmes IADLEST. Po ashtu Delawie shfaqi interesimin tij edhe rreth numrit të trajnimeve që zhvillohen në Akademi.

Këshilltarja e lartë e ICITAP-it Drita Perezic, e njoftoi ambasadorin për gatishmërinë e IADLEST për të akredituar Akademinë si institucion i trajnimit dhe arsimit të lartë. Akreditimi i Akademisë nga IADLEST do të shtonte reputacionin e Akademisë si institucion trajnues dhe arsimor për trajnimin e zbatuesve të ligjit si dhe mundësisë së përkrahjes së Akademisë nga ICITAP për krijimin e një programi studimor Master, i cili do të bazohet në kurrikulën e kursit të “Shkollës së stafit dhe komandës policore”.
 
Ambasadori Delawie i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm Smakiqi vizituan kampusin e  AKSP-së, duke përfshirë demonstrimin e punës së FATS-it, donacion nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL).

Përveç ambasadorit Greg Delawie, pjesë e delegacionit në vizitë bërë Akademisë ishin edhe James Hope, Drejtor i Misionit të USAID në Kosovë, Kimberly Riffe, u.d. e Menaxherit të Programit të ICITAP-it si dhe Drita Perezic, këshilltare e lartë e ICITAP.