Në Akademi mbahet miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara

12.07.2017

Vushtrri, 08 korrik  2017 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara e  organizuar nga Komiteti Paraolimpik i Kosovës dhe Organizata e Prindërve dhe Fëmijëve me Aftësi  të Kufizuara  e mbështetur nga Akademia, OSBE-ja, KFOR-i dhe Karabinierët.

Miniolimpiada është ngjarje sportive, rekreative dhe shoqëruese e të rinjve të Kosovës me aftësi të kufizuara, të cilët garojnë në lojna të ndryshme sportive; hendboll, basketboll, futboll, tërheqje e litarit, mundje krahësh, qitje, pingpong, pikado, si dhe disiplina tjera sportive. Pjesëmarrësit qëndrojnë dy ditë në Akademi, me ç’ rast shoqërohen, vallëzojnë të shoqëruar nga familjarët e tyre si dhe vullnetar të Akademisë, OSBE-së, KFOR-it, Karabinierët, e tjerë. Për herë të parë Miniolimpiada është organizuar në vitin 2003, kurse nga viti 2005 nikoqir i këtij aktiviteti është Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Miniolimpiada gjatë këtyre viteve është organizuar nga Komiteti Paraolimpik i Kosovës dhe Organizata e Prindërve dhe Fëmijëve me Aftësi  të Kufizuara, është mbështetur nga OSBE, KFOR-i, Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës, Karabinierët, Ambasadat e vendeve të ndryshme misionet në Kosovë dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike. Këtë vit miniolimpiada kryesisht është mbështet nga buxheti i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

Në hapjen e miniolimpiadës morën pjesë, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail  Smakiqi, Ambasadori i OSBE-së Jan  Braathu, Komandanti i KFOR-it Gjeneral Majori Giovanni Fungo, Ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert, Ambasadori i Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler, Ambasadori i Italisë Piero Cristoforo Sardi, Kryetarja e Komitetit  Paralimpik Njomza  Emini, Përfaqësuesit e OPFAKKOS-it, Drejtori i Departamentit për Rend dhe Siguri Publike në OSBE-së  Ake Roghe, Këshilltarja e OSBE-së  në Akademi Shpresa Muharremi, Drejtori i Trajnimeve Mandatare i Policisë së Kosovës Driton Zabërgja, Udhëheqësit e UNHCR-së, UNICEF-it  si dhe përfaqësues tjerë nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Fjalën hyrëse në Ceremoninë e hapjes të Miniolimpiadës e mbajti Znj. Njomza Emini, kryetare e Komitetit Paraolimpik, e cila  vlerësoj lartë mbajtjen e garave për personat me nevoja të veçanta. Ajo tha se nga viti në viti është duke u shënuar progres në njohjen ndërkombëtare të  Komitetit Paraolimpik, me shpresën që vitin e ardhshëm të pranohemi në Komitetin Ndërkombëtar Paraolimpik dhe garues nga Kosova të marrin pjesë në gara ndërkombëtare sportive të rinjve me aftësi të kufizuara.

Emini ka falënderuar të gjitha institucionet; OSBE-në, Akademinë, KFOR-in, karabinierët  dhe agjencitë tjera të cilët ishin prezent në përkrahje për mbajtjen dhe pjesëmarrjen në miniolimpiades. “Miniolimpiada e personave me aftësi të kufizuar e cila mbahet në Akademi tashmë është aktivitet tradicional” – tha Znj. Emini dhe të gjithë ne do të vazhdojmë këtë traditë edhe në vitet në vijim.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, duke iu uruar  mirëseardhje pjesëmarrësve në Akademi, theksoi se  miniolimpiada për persona me aftësi të kufizuara  është një ngjarje mjaft me rëndësi  duke fituar kështu edhe statusin e një aktiviteti tradicional.

“Miniolimpiada është aktiviteti më i rëndësishëm që e zhvillon Akademia me Komunitete. Kjo miniolimpiad është e trembëdhjeta me radhë dhe tani më ka fituar statutin e aktivitetit tradicional.  Ju çdo verë vini në Akademi që të zhvilloni gara sportive dhe këtu ne njoftoheni mes veti, rinjihemi, shoqërohemi, garojmë, argëtohemi, këndojmë. Akademia ditët më të bukura i kalon në ditët kur mbahet miniolimpiada”,  u shpreh Smakiqi 

Drejtori Smakiqi  falënderoi të gjitha institucionet që e përkrahin mbajtjen e këtij aktiviteti.
“Falënderoi për përkrahjen  OSBE-në dhe KFOR-in, ambasador Jan Braathu dhe gjeneral majorin Giovanni Fungo, për përkrahjen e vazhdueshme, përkushtimin dhe dedikimin tuaj për qytetarët e Kosovës të cilët kanë nevojë për përkrahjen dhe kujdesin tonë; faleminderit ambasador i Francës, Austrisë dhe Italisë për përkrahjen tuaj, faleminderit drejtor i UNICEF-it dhe UNHCR-it, që sot jeni në Akademi në përkrahje të pjesëmarrëseve në këtë miniolimpiad”, tha drejtori Smakiqi.

Kurse ambasadori i OSBE-së  në Kosovë  Jan Braath   tha se lojërat miniolimpike janë një ngjarje shumë e rëndësishme ku kanë mundësi të marrin pjesë shumë persona që të tregojnë aftësitë e tyre në lojëra të ndryshme.

“Ky rast ju ofron të gjithë pjesëmarrësve mundësi për të shfaqur aftësitë e tyre në disiplina të ndryshme sportive dhe ju inkurajojmë që përsëri të përkrahim frymën e ekipit dhe të sfidoni veten tuaj në bërjen e këtyre lojërave sa ma argëtuese”, u shpreh ambasadori Braath, duke thënë se në këtë vit marrin pjesë edhe garues të rinj nga Graqanica dhe  nga pjesa veriore e Mitrovicës.

“Jam shumë i kënaqur që jam me ju sot në lojërat miniolimpike 2017 të cilat ne në OSBE i konsiderojmë ngjarje të jashtëzakonshme dhe mundësi të shkëlqyeshme për të sjellë kaq shumë njerëz që të angazhohen në aktivitete sportive dhe të njihen me punën e oficerëve të zbatimit të ligjit”, u shpreh Braath.

Më këtë rast ambasadori Braath falënderoi Komitet Paraolimpik të Kosovës dhe Organizatën Kosovare të Prindërve dhe Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara (OPPFAKKOS) për organizimin e kësaj ngjarje.  Po ashtu Braath falënderoi edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për ta mbështetur  miniolimpiaden.

Gjatë këtij aktiviteti OSBE i dhuroi Komitetit Paraolimpik të Kosovës dhe OPFAKKOS-it  20 karroca me rrota, për fëmijët më nevojat të veçanta të moshës dhjetë dhe dymbëdhjetë vjeç si dhe për të rriturit.

“OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj për institucionet e Kosovës”, tha Braath

Ndryshe miniolimpiada do të zgjatë dy ditë radhazi ku do të zhvillohen këto gara  hendboll, basketboll, pikado, futboll, shah, pingpong, vrapim me karrocë, shenjëtari etj.
Në këtë miniolimpiad janë duke marrë pjesë persona me nevoja të veçanta nga e gjithë Kosova.