Ambasada Amerikane ndihmon Akademinë

19.06.2017

Vushtrri, 16 qershor 2017 –  Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë  vazhdon ta përkrah Akademinë e Kosovës për Siguri Publike  (AKSP) duke organizuar trajnime  dhe duke dhuruar pajisje për trajnimet e pjesëtarëve të sigurisë në vend.

Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) të Departamentit të Shteteve të Bashkuara sot ka dhënë donacion Akademisë  pajisjen e Trajnimit të Simulimit të Armëve të Zjarrit (FATS) për nevoja të trajnimit të zyrtarëve të sigurisë publike të Kosovës.

Donacioni u dhurua nga Leon Lowder, drejtor i INL në Kosovë,  në praninë e drejtorit  të programit ICITAP në Kosovë, Bill Bochter dhe të drejtoreshës së këtij programi Kimberley Riffe. Ky donacion u pranua nga Drejtori i Përgjithshëm i AKSP-së, Ismail Smakiqi.

Drejtori Smakiqi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën që po ia bënë Kosovës, konkretisht Ambasadën Amerikane që po përkrah në vazhdimësi Akademinë.

Smakiqi tha se ky donacion është shumë i rëndësishëm  për pjesëtarët e sigurisë publike dhe për Akademinë.