Zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Mala vizitoi Akademinë
Vushtrri, 2 maj 2017 Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike z.Ismail Smakiqi priti në takim zëvendësen e Institucionit të Avokatit të Popullit znj. Shqipe Mala e cila ishte e shoqëruar nga këshilltari ligjor z. Arbër Berisha.
Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve në të ardhmen si dhe njohja për së afërmi me zhvillimet në Akademi.
Gjatë takimit, drejtori z.Smakiqi i njoftoi përfaqësuesit e Institucionit të Avoaktit të Popullit për veprimtarinë dhe zhvillimet e fundit në Akademi, siç janë trajnimet dhe aktivitet tjera që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot.
Me theks të veçantë, në këtë takim u diskutua për edukimin e kadetëve dhe studentëve në Akademi, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, të garantuara me kushtetutën e vendit, si dhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, të zbatuara në Republikën e Kosovës.
Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, zbatimit të ligjshmërisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.