Drejtori Smakiqi mori pjesë në prezantimin e arsimit policor të Holandës

18.04.2017

Vushtrri, 18 prill 2017-  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP)  z.Ismail Smakiqi i shoqëruar nga Udhëheqësi i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë z. Avni Istrefi,  mori pjesë në prezantimin e arsimit policor,  gjegjësisht kursin  “Prezantimi i arsimit policor të  vendeve nën  nivelin e detit”,  në Akademinë  Policore Apeldoorn  të  Holandës ku ka zgjatur nga data 10.04.2017 deri me datën 14.04.2017.

Në këtë prezantim morën pjesë 28 pjesëmarrës nga 18 vende të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine (kryesisht përfaqësues të Akademive Policore nga vendet përfaqësuese).

Pjesëmarrësit janë pritur nga përfaqësuesit e Akademisë Policore në Apeldoorn, ku nga ta kanë  dëgjuar prezantime për; Policinë e Holandës, Akademinë Policore të Holandës, Rekrutimi dhe Selektimi, Menaxhmenti dhe Lidershipi, Programi Bachelor dhe Master për Policin e Holandës. Pjesëmarrësit po ashtu kanë vizituar dy qendra të trajnimeve në Eindhoven dhe Ossendrecht.


Ndryshe, Holanda ka një Akademi Policore kombëtare, me selinë kryesore në Apeldoorn, mirëpo ka qendra trajnimi ose arsimimi të policisë edhe në shtatë qytete tjera të Holandës.