Sot në Akademi u shënua dita ndërkombëtare e gruas 8-marsi

08.03.2017

Vushtrri, 08 mars 2017 - Në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike sot u shënua dita ndërkombëtare e gruas 8- marsi, ngjarje e cila është përkrahur dhe organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE Akhe Roghe, Deputetja në Parlamentin e Republikës së Kosovës Ganimete Musliu, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovë Dejan Jankovic, këshilltarja në Ministrinë e Punëve të Brendshme Shqipe Mjekiqi, Shpresa Muharremi dhe Shpresa Mulliqi nga OSBE, zyrtare policore nga të gjitha rajonet e Policisë së Kosovës, mësimdhënëset e Fakultetit të Sigurisë si dhe zyrtare pranë AKSP.


Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi fillimisht i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në këtë ditë të rëndësishme, duke ju uruar  ditën e gruas  8- marsin.  Ai më pas shtoi se Akademia është shembulli më i mirë i tolerancës, respektimit të të drejtave të gruas, respektimit të të drejtave të pakicave, lirisë fetare etj. Në fund Smakiqi ju uroi një ditë të mirë, duke shtuar që secili  ta ndiej veten krenar me respektimin dhe lirinë e gruas duke i përkrahur dhe mbështetur në çdo fushë të jetës.


 Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE Akhe Roghe përshëndeti të pranishmit duke ju uruar ditën e gruas. “Kjo është shumë e rëndësishme që sot po përkrahim gruan, dhe duhet të jemi të kujdesshëm qe të kemi një balancë gjinorë jo vetëm në pozitat menaxhuese por edhe në pozita tjera në institucione”, tha Roghe.


Ndërsa Deputetja nga Parlamenti i Republikës së Kosovës Ganimete Musliu tha se grat nuk duhet ta kenë vetëm një ditë festë por duhet të kenë çdo ditë, sepse janë gratë ato që vunë themelet e shtetit, janë gratë të cilat u përballen me sfidat më të mëdha sa herë që ishte nevoja. “Grat për mua janë heroina, dhe grat police janë shembulli më i mirë.  Sot në këtë ditë të veçantë si dhe në shumë ditë të tjera vazhdoni të na bëni krenar siç na keni bërë deri më sot”, përfundoi Musliu.


Këshilltarja në Ministrinë e Punëve të Brendshme Shqipe Mjekiqi tha se pozita e gruas në këtë ditë kur po shënohet është më e mirë se që ka qenë vite më parë. “Mbetët sfidë ndryshimi i percepcionit kulturor midis qytetarëve për rolin e rëndësishëm që ka gruaja në shoqëri dhe për kontributin që mundë ta luajë në përmirësimin e gjendjes ekonomike, politike e sociale në vend, si dhe herë pas here mungesa e vullnetit të vet grave për të marrë pjesë aktive në secilën prej këtyre sferave të jetës”, tha Mjekqi.


Dejan Janković, zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës tha se do të dëshiroj që të gjitha kolegeve dhe zonjave të ju tregoj që Policia e Kosovës ka përqindje të mirë të femrave, por kur flasim për barazinë, është vizion dhe ardhmëri e jona që të kemi 50%. “Të pranishëm kemi edhe përfaqësues nga vendet e Evropës Veriore, ku femrat në të gjitha institucionet kanë pozita udhëheqëse. Kemi përkrahje nga OSBE, ICITAP, shpresoj që me forca të përbashkëta barazia dhe përfaqësimi i femrave të ngritët në nivel edhe më të lartë”, tha Jankovic.


Në funde  u shpërndan dhurata për pjesëmarrëset për ditën e  gruas 8- Marsi.