Në Akademi u mbajt takimi për raportin e fizibilitetit për programet master

08.12.2016

Vushtrri, 08 dhjetor 2016- Sot në Akademi qëndroi eksperti Klaus Welter, konsulent i OSBE-së për përgatitjen e raportit lidhur me fizibilitetin e studimeve të nivelit master në kuadër të Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP.

Të pranishëm në takim ishin Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike Bejtush Gashi, profesorët e FSP, ekspertet e projektit të binjakëzimit: Ritva Vähäkoski Krista Haak, Marek Link, Shpresa Muharremi nga OSBE-ja, si dhe menaxhmenti i lartë i AKSP-së.

Të pranishmëve me një fjali rasti iu drejtua Drejtori Smakiqi i cili theksoi se Akademia është një institucion i krijuar pas lufte i ndihmuar nga partneret ndërkombëtarë dhe institucion mjaft i rëndësishëm për institucionet e sigurisë të cilat zhvillojnë trajnime në Akademi. Ai foli edhe për historikun e Akademisë, partneritetin ndërkombëtarë, projektin e binjakëzimit të Komisionit Evropian, projekt i cili ka mundësuar edhe funksionalizimin e Fakultetit të Sigurisë.

Duke folur për rëndësinë e studimeve master Drejtori Smakiqi tha se  vizioni i Akademisë është që në të ardhmen të ketë edhe program të studimeve posdiplomike që është i  domosdoshm për ngritjen e kapaciteteve të zbatuesve të ligjit të cilët punojnë në institucione të sigurisë.

Ndërsa eksperti Klaus Welter gjatë fjalimit të tij ka folur rreth zhvillimit të arsimit të lartë dhe studimeve postdiplomike, për modelet e arsimit në vendin e tij. Ai tha se Akademia , konkretisht Fakulteti i Sigurisë Publike duhet ta zgjedh modelin të përshtatshëm për master.

“Faleminderit për nderin qe ma bëtë  që të jem pjesëmarrës në këtë takim kaq të rëndësishëm, në të cilin do të flasë për temën rreth  mënyrës së zhvillimit të arsimit të lartë dhe studimeve posdiplomike”, tha Klaus Welter. Gjithashtu ai bëri edhe një prezantim rreth biografisë së tij punës dhe përvojave në institucionet e sigurisë.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike në Akademi Bejtush Gashi u shpreh se sot është një ditë e veçantë për faktin se po krijojmë një mundësi të re për nivelin e studimeve master.

Duke folur për sigurinë e përgjithshme Gashi tha se mbështetur nga kërkesat qe kanë institucionet e sigurisë është e domosdoshme një ofertë e re për studime master.

Ai  tha se kjo është një mundësi e mire që studentet pas përfundimit të studimeve themelore të kalojnë në faza tjera, siç janë studimet master. Dekani Gashi tha se kjo ofertë studimore do të jetë një garanci se Fakulteti i Sigurisë  do të krijon  mundësi  për të gjithë ata që janë të interesuar që të kontribuojnë për institucionet nga të cilat ata vijnë. 

Edhe eksperti Marek Link gjatë këtij takimi duke folur rreth  sigurisë në nivel global dhe fenomeneve theksoi se çilësi kryesor kundër këtyre dukurive negative është përkushtimi.  Gjithashtu ai shprehu nevojën e studimeve master edhe në Akademi në të mire të institucioneve të sigurisë që të krijojnë kuadër sa më profesional që do  të kontribuoj edhe në sigurinë e përgjithshme për qytetaret e Republikës së Kosovës.

Gjatë  këtij takimi lidhur me raporti  e fizibilitetit  për programet master në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike u zhvillua debat mes palëve në harmonizimin e ideve dhe nxjerrjes së përvojave nga vendet e ndryshme që në Akademi në të ardhmen e afërt të ofrohen studime postdiplomike të përshtatshme për nevojat e institucioneve të sigurisë në vende.