Drejtori Smakiqi mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare në Tiranë

02.11.2016

Vushtrri 01 nëntor 2016 – Drejtori i Përgjithshem i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Sigurisë, Bejtush Gashi, kanë marrë pjesë në konferencën e I-rë Shkencore Ndërkombëtare  të Akademisë së Sigurisë në Tiranë me temë  "Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit".

Në  këtë konferencë morën  pjesë ministri i Punëve të Brendshme   Saimir Tahiri,  zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit, misionet policore që veprojnë në Shqipëri si dhe oficerët ndërlidhës.  Konferenca  "Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit", u zhvillua në kuadër të reformës së ndërmarrë për reformimin rrënjësor të sistemit arsimor për punonjësit e Policisë, si dhe vënien në funksion të plotë të Akademisë së Sigurisë jo vetëm si qendër formimi, por edhe kërkimi shkencor.

Drejtori i Përgjithshem i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi, në fjalimin e tij ka vlerësuar lartë organizimin e  konferencës së I-rë shkencore ndërkombëtare me temën “Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit”. 

Smakiqi tha se kjo konferencë më  karakter ndërkombëtar  mundëson ekspozim të hulumtimeve, debat në rezultate të arritura dhe pasurimin e njohurive të ndërsjella në fushën e sigurisë publike, gjegjësisht shpalosjen e hulumtimeve që kanë të bëjnë siç tha ai më kërcënimet dhe rreziqet ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor si dhe roli dhe ndikimi i arsimimit në sigurinë publike.

“Roli dhe rëndësia e trajnimeve dhe arsimimit të lartë të zbatueseve të ligjit dhe ndikimin e arsimimit në sigurinë publike, ka avancuar Akademitë Policore gjegjësisht Akademitë e Sigurisë Publike në institucion kombëtar dhe përgjegjës për ngritjen e kapaciteteve njerëzore të Agjencive të Sigurisë Publike”, u shpreh Smakiqi.

Ai tha se  Akademitë duhet të ndjehen përgjegjëse për sigurinë në vendet e tyre, duke u ndjerë përgjegjëse për sjelljen e zbatuesit të ligjit në vendet e tyre të punës,  në radhë të parë për profesionalizmin dhe etikën e zyrtarëve të zbatimit të ligjit.

“Sfidat me të cilat përballet siguria publike, nuk janë më sfida vetëm regjionale. Këto sfida tani më kanë karakter shumë më të gjerë.  Siguria publike e qytetarëve të një vendi është sfidë komplekse multi institucionale dhe multi dimensionale, e cila po bënë bashkë ndjekësit e krimit, mësuesit, psikologët, filozofët, sociologët, artistët, sportistët, predikuesit e fesë, bizneset, punëtorët, prindërit, gratë dhe burrat”, tha Smakiqi.

Smakiqi tha se konferenca në fjalë  është aktiviteti i liderëve, mësimdhënësve dhe trajnerëve të Akademive Policore, pjesëmarrës në rrjete evropiane dhe ndërkombëtare të institucioneve të trajnimit dhe arsimit të lartë të fushës së sigurisë publike, si dhe institucioneve të sigurisë publike në përgjithësi.

Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi tha se konferenca e Tiranës është rast për arritjen e objektives të Konferencës “përmirësimit të programeve akademike në fushën e sigurisë për të përmirësuar cilësinë e policimit dhe përgatitur ekspertë të lartë të sigurisë për agjencitë e zbatimit të ligjit”.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema  theksoi rëndësinë e veçantë të formimit dhe specializimit të strukturave policore, rritjen e kapaciteteve profesionale të tyre, në rritjen e Sigurisë Publike dhe përmbushjen e kërkesave të komunitetit.


"Policimi si veprimtaria më e suksesshme deri tani për ofrimin e sigurisë kërkon një trajtim në shumë dimesione. Një nga dimensionet është rritja e kapaciteteve profesionale të strukturave që marrin pjesë në këtë veprimtari, por sidomos struktura e Policisë, e cila ka punën më të specializuar. Struktura që ka misionin kryesor për garantimin e rendit dhe të zbatimit të ligjit është Policia, pikërisht kjo strukturë duhet të zotërojë nivel shumë të lartë profesional, për të përmbushur kërkesën e komunitetit. Qëllimi i kësaj konference është t'i japi kontribut nëpërmjet shkollimit, rritjes së sigurisë publike për qytetarët", tha Mema.


Ndërkaq ministry i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë kësaj konference  theksoi se gjatë marrjes së detyrës trupa e Policisë së Shtetit ishte nivelin më të ulët arsimor në rajon, por tani sic tha ai përmes formimit dhe kualifikimit intesiv policia është kthyer në institucionin më të besuar në raport më qytetarët.


" Unë besoj që ne duhet të rikrijojmë traditën e vullnetarizmit në siguri. Është kjo arsyeja pse në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Policinë e Shtetit, sot një grup specifik po merret për t’i hapur rrugë angazhimit vullnetar në Policinë e Shtetit nga të rinjtë dhe të rejat në Republikën e Shqipërisë. Në të kaluarën e largët ka pasur një traditë angazhimi vullnetar në Polici ku pjesë të komunitetit bëheshin bashkë me Policinë për të garantuar rendin në komunitetin lokal apo për të ndihmuar fëmijët në shkolla, apo për të ndihmuar qarkullimin rrugor. Unë besoj kësaj tradite duhet t’i marrim më të mirën dhe të krijojmë një model bashkëkohor të angazhimit vullnetar të të rinjve dhe të rejave në Policinë e Shtetit. Ne po punojmë për krijimin e një mundësie ligjore lidhur me angazhimin vullnetar në Policinë e Shtetit dhe më pas do fillojmë menjëherë me rekrutimin, sepse besojmë shumë fort se sot, sfida që kemi lidhur me sigurinë nuk është kurrë dhe as mund të jetë çështje e vetëm policisë në mënyrë ekskluzive. Por është sfida për t’u bërë bashkë, punonjës policie – komunitet", tha Tahiri.


Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit  Rebani Jaupi gjatë kësaj konference vlerësoi krijimin e një platforme të qëndrueshme arsimore profesionale, si një zgjidhje drejt emancipimit të strukturave policore, rritjes së sigurisë dhe integrimit të institucionit të Policisë në shoqëri si aleat në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.


"Siguria mund të përmirësohet nëpërmjet arsimimit, niveli i arsimimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit është në ngritje, në përmirësim. Mund të shihet përmirësimi i këtij niveli, si në drejtimin e atyre të rinjve që zgjedhin të bëhen punonjës të Policisë së Shtetit, edhe në drejtimin e formatimit të një sistemi arsimor të qëndrueshëm profesional policor. Në iniciativën tonë për të ndërtuar një Polici sa më profesionale, pamë si zgjidhje arsimimin. Kjo gjë rezulton të jetë zgjidhja e duhur. Dimensioni, i cili vjen nëpërmjet arsimimit, është ai i emancipimit, emancipim për shoqërinë e për Policinë; emancipim që synon të rrisë sigurinë. Policia e Shtetit, jo vetëm që po e jep këtë mesazh, por edhe po e demonstron me shembuj", u shpreh Jaupi. 


Më pas disa prej përfaqësuesve kanë referuar temat e përgatitura prej tyre për këtë konferencë.