Promovohet libri Lidershipi në Policinë e Shtetit i autorit dr.sc Bilbil Memaj
Vushtrri, 18 Tetor 2016 Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot u promovua libri Lidershipi në Policinë e Shtetit rasti i Shqipërisë, të autorit dr.sc i shkencave Bilbil Memaj, i cili është Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë në Shqipëri.
Ceremoninë e promovimit e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, i cili falënderoi autorin e librit Memaj për pranimin e ftesës që kjo ngjarje të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Drejtori Smakiqi çmoi lartë personalitetin e Memajt, drejtuesin e dikurshëm të Policisë së Shtetit, i cili për dy vite në funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë, punoi në reformimin e sistemit të arsimit policor gjegjësisht, avancimin e kursit themelor për polici, programin Studimor në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, programin Studimor Bachelor, programet e Studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor.
Në promovimin e librit morën pjesë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, oficer të lartë të policisë së shtetit në krye me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë Publike ne Policinë e Shtetit, Altin Qato si dhe oficer të lartë të Policisë së Kosovës në krye me Drejtorin e Departamentit për Hetime Riza Shillova. Gjithashtu në promovim morrën pjesë edhe mësimdhënësit e Fakultetit të Sigurisë, student dhe personeli udhëheqës i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Zëvendësministër Mustafa vuri theksin në nevojën e përkrahjes të dyja Akademive në avancimin e trajnimeve dhe arsimimit të lartë me qëllim të ngritjes së kapaciteteteve të policive të dy shteteve dhe agjencive tjera të zbatimit të ligjit. Ai u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e akademive duke përfshirë trajnimin e njësisë së motoçikletave, i cili aktualisht është duke zhvilluar në Akademi.
Mund të themi se Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Akademia e Sigurisë së Shqipërisë janë shembull i bashkëpunimit edhe për institucionet tjera, u shpreh Mustafa.
Kurse ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, falënderoi drejtorin Smakiqi për ftesën dhe përgëzoi Memaj për librin. Më këtë rast ambasadori Minxhozi lavdëroi punën e Memaj gjatë gjithë karrierës së tij.
Në vazhdim për librin vlerësime u dhanë edhe nga Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime, shefi i Sektorit të Trajnimeve në Policinë e Shtetit Besnik Bakiu, dhe Bejtush Gashi, profesor në Fakultetin e Sigurisë Publike pranë Akademisë.
Në fund të kësaj ngjarje autori i librit Bilbil Memaj, falënderoi Akademinë për organizimin e kësaj ceremonie dhe të gjithë ata të cilët janë të angazhuar për realizimin e kësaj ngjarje. Autori Memaj në fund të ceremonisë shpërndau libra falas për të pranishmit si dhe dhuroi dhjetë ekzemplar për Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe pesë ekzemplar për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.