Pjesëtarët e Policisë së Republikës së Shqipërisë trajnohen në Akademi
Vushtrri, 18 tetor 2016-Me rastin e trajnimit të pjesëtarëve të Policisë së Shqipërisë, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike sot e vizitoi ambasadori i Republikës së Shqipërisë Qemal Minxhozi, zëvendësdrejtori i Policisë së Shqipërisë Altin Qato, dhe drejtori i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë Bilbil Memaj.
Me këtë raste të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Nehat Mustafa, drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës Riza Shillova si dhe zyrtar të lartë nga institucionet e vendit. Të pranishmit u priten nga Drejtori i Përgjithshëm Ismail Smakiqi dhe menaxhmenti i lartë i Akademisë.
Gjatë këtij takimi ata vizituan poligonin ku po trajnohen pjesëtarët e Policisë së Shqipërisë me motoçikleta, ti cilet përmes prezantimeve nga instruktoret u informuan lidhur me pjesën praktike ku pjesëtaret po e zhvillojnë trajnimin.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Shqipërisë Altin Qato mbajti një fjalim para të pranishmëve duke treguar për një bashkëpunim të shkëlqyer me Akademinë dhe duke vlerësuar lartë punën e cila po bëhet në profesionalizimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të Policisë nga Shqipëria.
Duke folur për nevojën dhe thellimin e bashkëpunimit me qëllim të ngritjes dhe avancimit të trajnimeve për pjesëtarët e sigurisë publike ai shfaqi gatishmërinë e tij të plotë për bashkëpunim në mes të dy institucioneve Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe Policisë së shtetit të Shqipërisë.