Filloi mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara

25.06.2016


Vushtrri, 25 qershor 2016 - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot filloi mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara. 
Në hapje e mini-olimpiadës morën pjesë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi,  Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail  Smakiqi, komandanti i KFOR-it gjeneral Guglielmo Luigi Miglietta, shefi i misionit të OSBE-së Jan Claude Schlumberger,  kryetarja e Komitetit  Paralimpik, Njomza  Emini si dhe përfaqësues tjerë nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Njomza Emini, presidente e Komitetit Paraolimpik  vlerësoj lartë mbajtjen e garave për personat me nevoja të veçanta. Ajo tha se është duke u shënuar progres në njohjen e komitetit paraolimpik nga ndërkombëtaret. 
Emini tha se mbajta e mini-olimpiadës jep mundësi që secili garues të tregojë vetën, “Garat  e juaj do të vlerësohen me kupa. Ju uroj të gjithëve suksese në garat dy ditore”. 

Ambasadori i OSBE-së  në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger  tha se lojërat miniolimpike janë një ngjarje e mrekullueshme, është një shembull i shkëlqyer se si sportet dhe rrjetet mund të bëjnë një ndryshim për fëmijët dhe jetën e tyre. 
Schlumberger duke  folur rreth rëndësisë se garave mini-olimpike, tha se  ngjarjet e tilla japin mundësi garuesve që të  tregojnë  aftësitë dhe talentin e tyre personal dhe të marrin pjesë në  shumë aktivitete sportive. 

“Ngjarje të tilla si ngjarja e sotme duhet të përqendrohen në aftësitë dhe jo aftësi të kufizuara për të ndihmuar në rritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e respektimit të drejtave të të gjithë njerëzve  për të shfaqë kapacitetet që kanë”, tha Schlumberger.
Për të pasur rezultat Schlumberger tha se institucionet e Kosovës  duhet të trajtojnë rastet e diskriminimit, për shkak që personat me nevoja te veçanta të ndihen më të përfshirë dhe më mirë. 

“Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku për të përmirësuar gjendjen e personave me aftësi të kufizuara. Ne do të ndajmë me ju praktikat më të mira lidhur me standardet ligjore ndërkombëtare dhe vendore mbi mos diskriminimin e personave me aftësi të kufizuara dhe për zbatimin e këtyre standardeve në praktikë”, tha ai.
Duke falënderuar të gjithë ata që punuan në organizimin e mbajtjes së kësaj mini-olipiade, ambasadori i OSBE-së Schlumberger tha se ngjarja e tillë duhet të mbahen gjithmonë. 

Komandanti i KFOR-it gjeneral  Guglielmo luigi Miglietta  u shpreh i lumtur  që ishte pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme. Ai me këtë rast  falënderoi KFOR-in për përkushtimin e tyre që të  kontribuoi në realizimin e këtij aktiviteti. “Gjithashtu këto aktivitete  mundësojnë se çka  mund të bëjmë se bashku. Kjo ngjarje është njëra ndër aktivitetet me të rëndësishme në Kosovë”, tha  Miglietta.

Ndërkaq  Ministri i Punës dhe Mirëqenies  Sociale, Arban Abrashi, tha se organizimi i mini-olimpiades, aktivitet i  i cili tani po merr formë tradicionale, ka një rëndësi të veçantë në shoqërinë tonë. Abrashi tha se me aktivitete  të tilla ngritët vetëdija e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.  
Ministri Abrashi  falënderoi KFOR-in, shefin e misionit të OSBE-së  Schlumberger, dhe të gjithë përkrahësit 

Gjatë fjalimit Abrashi theksoi rëndësinë e mbajtjes së mini-olimpiades, veçanërisht për ministrinë e punës duke ndihmuar atë  që të hartoj politika më të mira për të  marrë iniciativa të punësimit,  të aftësimit,  të trajnimeve si dhe iniciativën për  plotësim ndryshimin e ligjit, riaftësimin e personave me aftësi të kufizuara, falë ngjarjeve si kjo.
Në fund ministri Abrashi falënderoi, Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Ismail Smakiqi për përkrahjen e vazhdueshme të mini-olimpiadës.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi,  i uroi mirëseardhje në Akademi pjesëmarrësve  duke theksuar se për Akademinë mini-olimpiada për persona me aftësi të kufizuara  është një ngjarje mjaft me rëndësi  duke fituar edhe statusin e një aktiviteti tradicional. 
Ai tha se Akademia është e gatshme çdo herë të përkrah dhe të ndihmojë çdo qytetarë të Republikës së Kosovës. 

“Vetë organizimi i mini-olimpiadës tregon rëndësinë e përfshirjes dhe ofrimit të mundësive të barabarta për secilin anëtarë të shoqërisë sonë”, tha Smakiqi.

Në fund Smakiqi përshëndeti të gjitha institucionet që kanë përkrahur mbajtjen e këtij aktiviteti duke shpreh  një falënderim të veçantë për institucionet e sigurisë si Policinë e Kosovës,  KFOR-in si dhe agjencione tjera të cilët ishin prezent në përkrahje dhe ndihmë për pjesëmarrësit e mini-olimpiadës. 
Mini-olimpiada “Kosova 2016” është organizuar nga Komiteti Para-Olimpik i Kosovës dhe OPFAKOS “Prindi e Fëmiu”, dhe është përkrahur nga  KFOR-i Italian, OSBE-ja dhe AKSP.