Drejtori Smakiqi ka qenë për një vizitë zyrtare në SHBA

13.06.2016

Vushtrri, 13 qershor 2016 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, i shoqëruar nga Drita Perezic, këshilltare e lartë e ICITAP-it pranë menaxhmentit ekzekutiv të MPB-së kanë marrë pjesë në konferencën vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Akademia e Kosovës për Siguri Publike, gjegjësisht drejtori Smakiqi është anëtar i këtij Asociacioni. Konferenca e cila ka zgjatur nga data 05 deri me datën 08 të këtij muaj, është mbajtur në qytetin Grand Rapids, Michigan të SHBA-ve.

Asociacioni IADLEST është organizatë e njohur që shërben si katalizator i përmirësimit të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtorët e akademive, trajnimeve dhe standardeve gjatë gjithë vitit shkëmbejnë përvoja, këshillohen, pyesin dhe kërkojnë përgjigje për organizatat e tyre të zbatimit të ligjit.

Në këtë konferencë teme ka qenë trajnimi i çështjeve më të ngutshme për menaxherët dhe drejtuesit e trajnimeve.

Konferenca e Asociacionit organizohet në seancë plenare (dita e parë) me tema bosht të konferencës dhe tryeza të rrumbullakëta (dita e dytë dhe tretë)  me tema të ndryshme. Këtë vit temë boshte ishte “Policimi në Komunitet”.

Në njërën prej tryezave të rrumbullakëta lidhur me trajnimet ndërkombëtare, Drita Perezic nga ICITAP në Kosovë ka bërë prezantimin me temën “Ekipet e Veprimit të Sigurisë në Komunitet”, i cili ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm nga vendet pjesëmarrëse në konferencë dhe është kërkuar si model i sigurisë në komunitet.

Përveç anëtarëve të IADLEST nga SHBA, në konferencë kanë marrë pjesë edhe anëtarë të IADLEST nga vende të ndryshme nga të gjitha kontinentet. Nga regjioni i Ballkanit, përveç Kosovës ka marrë pjesë Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina.

Drejtori Smakiqi ka zhvilluar takime me pjesëmarrësit e konferencës, me theks të veçantë ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, nga zyrtarët e Pakistani, Afrika e Jugut, Kolumbia, Filipinet, Bosnjë e Hercegovina dhe Algjeri.

Gjatë kësaj vizite në SHBA, drejtori Smakiqi dhe Perezic kanë vizituar Akademinë e Drejtësisë Penale - Schoolcraft College dhe Departamenti i Policisë Westland ku janë pritur nga kryetari i qytetit Westland,  William Wild. Vizitat janë mundësuar dhe përkrahur John Goci, shqiptaro amerikan, i cili në legjislacionin e kaluar ka qenë anëtar i kuvendit të qytetit Westland.


Gjatë kësaj vizite, drejtorit Smakiqi i është ndarë mirënjohje e veçantë nga shteti i Michigan, për pjesëmarrje në konferencën e IADLEST, që ka mbështetur në mënyrë efektive qëllimet e arsimit e ka zbatuar si duhet funksionet që i janë besuar Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, si dhe që ka bërë forcat e Policisë së Kosovës një ekip profesional dhe transparent të zbatimit të ligjit.

Vizitën në SHBA e ka mundësuar Programi në Kosovë i ICITAP, i cili gjatë gjithë viteve të pas luftës është përkrahës dhe partner i përhershëm i Akademisë.

Pas kthimit nga vizita, drejtori Smakiqi ka falënderuar Asociacionin IADLEST për ftesën në Konferencë, për përvojat e jashtëzakonshme dhe shkëmbimet reciproke me anëtarët e IADLEST, si dhe ICITAP-in për përkrahjen për pjesëmarrje në konferencën në fjalë.

 Drejtori Smakiqi ka falënderuar edhe dy shqiptarë amerikanet Goci dhe vëllezërit Dervishaj për organizimin e vizitës në Institucionet e Sigurisë Publike si dhe Kryetarin e Komunës, Zotërin Wild.