Bordi i Akademisë vizitë zyrtare në Finlandë dhe Estoni

30.05.2016

Vushtrri, 30 maj 2016 – Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP), Ismail Smakiqi, i shoqëruar nga përfaqësuesit e Bordit të Akademisë, në kuadër të projektit të ri të binjakëzimit ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Estoni dhe Finlandë.

Në kuadër të Projektit të  dytë të  Binjakëzimit  në Akademi, i cila ka për qëllim “përkrahjen  e mëtejme të arsimit në sigurinë publike në Kosovë”, nën komponenten e parë, respektivisht nën aktivitetin “mbështetja e mëtejme e Bordit të AKSP-së si mekanizëm koordinues për zbatimin e trajnimeve profesionale për të gjithë agjencionet e sigurisë publike në Kosovë”, gjatë  qëndrimit në Estoni dhe Finlandë është organizuar dhe zhvilluar vizita studimore.

Organizimi i kësaj vizite është bërë nga shtetet anëtare të zbatimit të Projektit të Binjakëzimit, siç janë Finlanda dhe Estonia, si model organizativ i ngjashëm me atë të AKSP-së.

Qëllimi i kësaj vizite ishte, që anëtaret e Bordit të AKSP-së të njoftohen me përvojat,  rreth  rolit dhe rëndësisë së bordeve në Estoni përkatësisht në AESHS, rolit të tyre në procesin e vendimmarrjes, rreth trajnimeve profesionale të agjencive të sigurisë publike si dhe shkëmbimi i përvojave   ndërmjet agjencive të sigurisë publike të Kosovës dhe Estonisë.

Gjatë vizitës pjesëmarrësit  vizituan disa institucione arsimore të sigurisë publike që ofrojnë trajnime dhe arsim të lartë për zbatuesit e ligjit në Estoni.

Delegacioni nga Kosova i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, vizituan  edhe Akademinë  e Shkencave të Sigurisë në Estoni, Ministrinë e Punëve të Brendshme,  Burgun e Virussë, Drejtorinë e Policisë, Drejtorinë e Shpëtimit të Estonisë,  Drejtorinë e Taksave dhe Doganave, Kolegjin e Drejtësisë të AESHS-së, Qendrën e  Shpëtimit në Rakvere  dhe  Shkollën e Shpëtimit në kuadër të kolegjit etj.

Në vizitën e tij zyrtare, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, mori pjesë në 25 vjetorin e Universitetit “Laurea” të shkencave të Aplikuara në Finlandë, ku më këtë rast u organizua  ceremonia e diplomimit të studentëve nga ky universitet.

Të pranishëm në vizitën studimore në Estoni, përveç  Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë, Ismail Smakiqi, ishin edhe Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Shtetit,  Lulzim Rafuna, Drejtor i Përgjithshëm  i Doganave të Kosovës dhe njëherit Kryesues i Bordit të AKSP-së, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni,  Zëvendësdrejtori i  Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi,   Bajram Bujupi, Drejtor i Përgjithshëm  i Shërbimit Sprovues, Fadil Kodra, Kryeshef  Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave si dhe nga një përfaqësues  “Udhëheqës të grupeve punuese” nga secila prej 7 agjencive të sigurisë publike të lartëcekura duke përfshirë edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.